Trotuarët e bllokuar, shqetësimi më i madh i prizrenasve

EC Ma Ndryshe sot prezantoi rezultatet e hulumtimit të fundit mbi perceptimet e qytetarëve për urbanizmin në qytetin e Prizrenit. Ky është anketimi i tretë me mostër të gjerë në qytetin e Prizrenit brenda dy viteve, që ka për qëllim konstatimin e shqetësimeve kryesore dhe matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve të Prizrenit rreth urbanizmit. Hulumtimi është pjesë e metodologjisë së projektit “Qyteti Gjithëpërfshirës...”, i cili nga janari i vitit 2013 i përkthen nevojat e qytetarëve të Prizrenit në plane të zbatueshme urbane të komunës. Anketa ishte e ndarë në dy pjesë, me popullatën e përgjithshme ku kanë marrë pjesë 300 respondentë (55% të gjinisë femërore dhe 45% të gjinisë mashkullore) dhe me organizata e grupe të komunitetit ku janë zhvilluar 100 intervista. 

 

Rezultatet e hulumtimit tregojnë që afro gjysma e qytetarëve të Prizrenit nuk kanë njohuri nëse komuna ka plane urbane. Shqetësuese është edhe e gjetura tjetër se rreth 60% e qytetarëve nuk janë të informuar se ata kanë të drejtë të marrin pjesë në hartimin e planeve urbane dhe rregulloreve komunale. Një e gjetur që konfirmohet për të tretën herë rradhazi nga viti i kaluar është përqindja skajshmërisht e ulët e qytetarëve që kanë marrë pjesë në diskutimet publike që janë organizuar nga Komuna. Vetëm 11% e qytetarëve kanë deklaruar se janë ftuar nga komuna në debate publike, derisa afro 20% e tyre thonë të jenë ftuar nga shoqëria civile (OJQ-të). Gjeni të gjeturat e hulumtimit dhe komunikatën për media.

Rrjetëzimi