EC angazhohet për qëndrueshmëri ekonomike dhe qeverisje demokratike në nivel lokal (dhe rajonal) përmes mobilizimit të komunitetit, mbikëqyrjes së vendimmarrjes publike dhe partneritetit në zbatim të programeve dhe politikave zhvillimore.
Për përmbushjen e këtij misioni organizata zbaton projekte dhe nisma në kuadër të dy programeve kryesore: Qytete/Komuna Gjithëpërfshirëse dhe Zhvillim i Qëndrueshëm. Ndërsa programi i tretë është ideuar si njësi mbështetëse për veprimin e organizatës dhe synon adresimin e tri sfidave të jashtme dhe të brendshme:
1. Vëllimin e pamjaftueshëm të dijes empirike në vend, përfshi të dhënat e besueshmë statistikore, analizat e specializuara dhe mendimet profesionale,
2. Nevojën për konsolidimin e kapaciteteve të brendshme, veçanërisht në hulumtime, baza të të dhënave, analizë, menaxhim, zhvillim komunitar dhe ekspertizë sektoriale, dhe
3. Mungesën e qëndrueshmërisë financiare afatgjatë duke i diversifikuar burimet e të hyrave, me theks në ofrimin e shërbimeve për palët e treta.
Trekëndëshi konceptual që do të orientojë punën e organizatës në pesë vitet e ardhshme (2020 - 2024) ka këto elemente: 1. Gjithëpërfshirjen, 2. Qëndrueshmërinë, dhe 3. Dijen. EC beson se demokratizimi dhe zhvillimi i gjithëmbarshëm shtetëror është proces që duhet planifikuar dhe ndërtuar nga posht lart. Në thelb të qeverisjes demokratike qëndron hapja dhe përfshirja e të gjithëve në marrjen e vendimeve që kanë për synim të mirën e përbashkët, ndërsa planifikimi zhvillimor kërkon shfrytëzim racional të burimeve territoriale, pa e kompromituar përdorshmërinë e tyre nga gjeneratat e ardhshme. Si demokracia ashtu edhe zhvillimi duhen ndërtuar mbi bazën e dijes së shëndoshë që garanton vendime dhe veprime të mençura dhe vizionare.
Vlerat kryesore të organizates janë:
1. Paanshmëria - EC vepron në bazë të analizave të thukta dhe gjithëpërfshirëse dhe mënjanon veprimet e ngutshme dhe impulsive. EC synon të përkrahë dhe të shtyjë përpara alternativat të cilat në bazë të hulumtimit dalin të jenë më të përshtatshmet, pavarësisht nëse masa e shoqërisë nuk e përkrahin këtë opsion;
2. Aktivizmi - Anëtarët e EC do të jenë aktivistë të cilët angazhohen në baza të rregullta për të shtyrë përpara bashkëveprimin qytetar për të përmbushur misionin e organizatës;
3. Orientimi drejt rezultateve - Anëtarët e EC janë të orientuar për të arritur rezultate, ku përpjekja nuk i kënaq pritjet e organizatës në qoftë se nuk përfundon me rezultatet e pritura;
4. Komuniteti bazë e veprimit - EC do të jetë gjithnjë pranë komunitetit, duke mësuar nga qytetarët dhe duke ndërtuar konsensus për bashkëveprimin dhe formësimin e shoqërisë.