Programet

Që nga themelimi më 2006, EC Ma Ndryshe ka qenë aktivisht e përfshirë në përforcimin e qytetarisë aktive për të ndikuar në politikat publike në nivel lokal (komunën e Prizrenit), me fokus të veçantë në politikat kulturore. Organizimi i EC në të ardhmen do të bëhet në bazë të programeve: Qyteti Gjithëpërfshirës, Qeverisja Mirë, dhe Hulumtimi. EC angazhohet për qytetari aktive në formësimin e ambientit jetësor duke nxitur organizim të mirëfilltë të komunitetit, demokratizim të institucioneve dhe pasurim të jetës kulturore në qendrat kryesore të Kosovës, me fokus në Prizren dhe Prishtinë. Ndërsa vlerat të cilat e udhëheqin punën e organizatës janë: paanshmëria, aktivizmi, orientimi drejt rezultateve dhe komuniteti bazë e veprimit.


GJITHËPËRFSHIRJE (Qytete / Komuna Gjithëpërfshirëse)

Programi i Gjithëpërfshirjes është vazhdimësi e veprimeve tashmë të njohura të organizatës, por me në thellësi më të madhe profesionale dhe konceptuale. EC tani trajton angazhimin qytetar dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje përtej nivelit utilitar politik. Qyteti, fshati apo çfarëdo hapësirë tjetër (lokalitet banimi dhe jetese) është mbi të gjitha një e drejtë themelore dhe e pamohueshmë e banorëve. Programi do të fokusohet në zhvillimin e grupeve ekzistuese si dhe në formimin e grupeve të reja të komunitetit në nivele të ndryshme të komunave. Paralelisht me angazhimin për më tepër organizim komunitar, programi synon zhvillimin e mëtejmë të shkathtësive të grupeve për aktivizëm dhe avokim efektiv në raport me institucionet publike. Përfundimisht, programi do të vazhdojë të nxisë ndjenjën e përkatësisë së banorëve në raport me hapësirën publike, duke inicuar platforma të rezitencës qytetare kundër forcave të egra të tregut që rrezikojnë strukturën urbane, trashëgiminë kulturore, peisazhin natyror dhe vlerat e tjera të qyteteve dhe fshatrave të Kosovës.

 

QËNDRUESHMËRI (Zhvillim i Qëndrueshëm)

Programi i Qëndrueshmërisë është përgjigje në pyetjen ‘pse gjithëpërfshirje’. Zhvillimi i përgjithshëm kombëtar, rritja e mirëqenies sociale dhe cilësisë së jetës, të gjitha këto brenda parametrave të qëndrueshmërisë (pra demokraci për zhvillim). Fokusi i programit parasëgjithash do të jetë në sfidat mjedisore. Zonat urbane dhe zonat e mbrojtura të natyrës janë më të rrezikuarat dhe veprimet e EC do të shtrihen me prioritet në këto hapësira. Për të siguruar vendimmarrje të përgjegjshme komunale, organizata do të avokojë për përkthimin e QZHQ (SDG) në mendësinë dhe praktikën e zhvillimit dhe zbatimit të politikave publike. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të trajtohen si grup me rëndësi të veçantë për të krijuar gjeneratën e së ardhmes që aktivizmin mjedisor e kupton si përgjegjësi sociale. Në mënyrë të veçantë, EC do të krijojë partneritete vepruese me institucionet publike në zbatimin e programeve zhvillimore përmes shfrytëzimit të qëndrueshëm të burimeve kulturore dhe natyrore të Kosovës.

 

DIJE (Prodhim i dijes)

EC ka publikuar dhjetëra raporte dhe analiza, si rezultat i punës hulumtuese. Dija e prodhuar do të vazhdojë të përdoret për të fuqizuar argumentin avokues. Produktet e hulumtimit do të synojnë temat që mbulohen nga dy programet e para të organizatës. Pjesë e programit të dijes janë edhe shërbimet profesionale, të cilat synojnë të konsolidojnë bazën e qëndrueshmërisë financiare të organizatës. Në të njëjtën kohë, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit të mëtejmë dhe të përhershëm të kapaciteteve të brendshme organizative, profesionale dhe vepruese. 

Rrjetëzimi