Torba ekologjike për reduktimin e qeseve të plastikës

Është realizuar iniciativa "Torba ekologjike për reduktimin e qeseve të plastikës" me qëllim që të ngritet si çështje përdorimi i madh dhe pasojat që shkaktohen nga qese të shumta të plastikës në vendin tonë. EC ka vendosur t'i shpërndajë nëpër disa pika të shitjes në Prizren disa torba të tilla ekologjike dhe gjatë ditës konsumatorët do të shërbehen me këto torba në vend të qeseve të plastikës. Këto torba ekologjike përmbajnë mesazhin "EC pa plastikë" dhe një fotografi ku paraqiten pasojat e qeses për jetën detare, Torbat eko-miqësore janë një mundësi e mirë për të treguar mbështetjen tonë ndaj mjedisit, pasi që ato mund të ripërdoren dhe të reduktojnë ndotjen e madhe që po shkaktohen nga plastika.

Përdorimi i qeseve të plastikës po vazhdon të rritet, bazuar në të dhënat e World Counts këtë vit pritet që të përdoren mbi 5 trilionë qese të plastikës,160,000 çdo sekondë dhe më pak se 1% nga to riciklohen dhe reduktohen si ndotje. Pjesa tjetër e këtyre qeseve përfundon në ambient të hapur duke shkaktuar degradim të natyrës dhe dëmtim të botës ujore. Dihet që qeset plastike nuk biodegradojnë, ato fotodegrojnë - duke u zbërthyer në copa toksike më të vogla dhe një proces i tillë i toksifikimit të ambientit zgjat deri 400 vjet.

Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA) dhe nga projekti "Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë, financuar nga Qeveria e Dukatit të madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

 

 Gjeni fotot e aktivitetit këtu.

Rrjetëzimi