Të rinjtë trajnohen për të qenë liderë në të ardhmen
EC Ma Ndryshe ka organizuar trajnimin dy ditor “Liderët e rinj”. Pjesëmarrësit nga komuniteti i të rinjve të Kosovës kanë përfituar njohuri lidhur me lidershipin. Në këtë mënyrë ata janë aftësuar që në të ardhmen të mobilizojnë komunitetin e tyre për të sjellë ndryshime pozitive përmes veprimeve kolektive dhe gjithëpërfshirëse.
E drejta për qasje në dokumente publike, format dhe procedurat e përpilimit dhe dërgimit të një kërkese për qasje në këto dokumente, ishte tema e parë që u diskutua me të rinjtë, duke vazhduar më tutje me diskutimin dhe punëtorinë mbi shkathtësitë e liderëve dhe rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në qeverisjen lokale.
Gjendja aktuale në komuna dhe e ardhmja e mjedisit janë çështje që preokupojnë komunitetin, prandaj liderët e rinj kanë mësuar fakte dhe opsione të reja se si të bëhen pjesë e ndryshimit. Rrjedha e diskutimeve ka vazhduar me paraqitjen e shembujve konkret sa i përket gjendjes së qyteteve, planifikimin jo të mirë urban dhe problemet tjera që kanë ndikim në jetën publike.
Gjatë këtij trajnimi nuk është lënë anash edhe tema e aktivizmit për gjithëpërfshirje, të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore. Në këtë pjesë të rinjtë kanë pasur mundësinë të fitojnë njohuri, duke ndarë përvoja të ndryshme me anë të diskutimeve në grup.
Ky trajnim është realizuar në kuadër të projektit “ Aleanca për Qytetari Aktive dhe Komunat Përgjegjëse", financuar nga Olof Palme International Center mbështetur nga Qeveria e Suedis dhe projektit “Zbatimi i programeve të strategjisë të EC ” i përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).
Në fund të këtij aktiviteti, të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur edhe me certifikata të pjesëmarrjes.