Studentët dhe nxënësit në Prizren diskutojnë për efektet e shpyllëzimit pas shfaqjes së dokumentarit frymëzues
EC Ma Ndryshe ka realizuar shfaqjen e filmit dokumentar “Finite: The Climate of Change” për studentët e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit të Universitetit të Prizrenit si dhe nxënësit e shkollave të mesme, që është pasuar me diskutimet mbi shpyllëzimin e ndikimin ekologjik dhe social si dhe për masat që mund të merren për mbrojtjen e pyjeve.
Në DokuKino është projektuar dokumentari frymëzues “Finite: The Climate of Change”, që pasqyron betejën ndërmjet komuniteteve, aktivistëve dhe korporatave të lëndëve djegëse fosile, lidhur me shpyllëzimet respektivisht përpjekjet për mbrojtjen e pyjeve.
Pas shfaqjes së filmit, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë që të marrin pjesë në diskutimin e ndikimeve ekologjike dhe sociale të shpyllëzimit.
Diskutimi në panel është zhvilluar nga mësimdhënësit, Liridon Buqaj dhe Reshat Reshiti, të cilët kanë ndarë pikëpamjet e tyre për rëndësinë e ruajtjes së pyjeve dhe hapat konkretë që mund të ndërmerren për të adresuar këtë sfidë.
Gjatë diskutimeve është vënë në pah rëndësia e edukimit, angazhimit qytetar dhe politikave të qëndrueshme për mbrojtjen e pyjeve, të cilat luajnë rol jetik në ruajtjen e ekosistemeve dhe përballjen me ndryshimet klimatike.
Ky aktivitet ka shërbyer si platformë për ndërgjegjësim dhe frymëzim për ndërmarrjen e veprimeve konkrete që mund të ndikojnë në ruajtjen e mjedisit.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit "Fuqizimi i Organizatave Mjedisore të Shoqërisë Civile në Kosovë" (EECSOK), mbështetur nga Embassy of Sweden in Pristina dhe zbatuar nga Community Development Fund - CDF.