Shumë makina e pak shtigje për biçikleta
Në Ditën Botërore Pa Makina, EC ka realizuar performancën publike, e cila synon sensibilizimin e qytetarëve që të shmangin përdorimin e makinave, duke adresuar rëndësinë e mbrojtjes së ambientit. Misioni i kësaj dite është ndërgjegjësimi dhe rritja e përfshirjes aktive të shoqërisë në mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Përdorimi i biçikletave dhe ecja nëpër distanca të shkurtra janë alternativa që sot në shumë vende të botës janë duke u praktikuar dhe kanë shënuar rezultate pozitive në favor të shëndetit të qytetarëve dhe vet mjedisit.
Bazuar në rezultatet e hulumtimit “Siguria në trafik” realizuar nga EC-i, del që rreth 55% e qytetarëve të Prizrenit e kanë ngritur si çështje mungesën e hapësirave adekuate për ngasjen e biçikletave. Edhe pse një pjesë e qytetarëve kanë filluar që si mjet të transportit t’i përdorin biçikletat, shpesh këta të fundit po hasin në vështirësi, sepse nuk po ju ofrohet hapësirë e lëvizjes në trafik për faktin se janë të mangëta shtigjet e biçikletave në rrugët e qytetit.