Shënohet “Java e Distrofisë Muskulare”

Organizata e Personave me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK) së bashku me EC Ma Ndryshe kanë shënuar “Javën e Distrofisë Muskulare” me një seri aktivitetesh në Prizren. Me këtë rast sërish janë vënë në pah sfidat si dhe kërkesat e personave me distrofi muskulare si para institucioneve shtetërore ashtu edhe shoqërisë në tërësi.
Aktivitetet, ku kanë marrë pjesë edhe mysafirët nga Ferizaji dhe Suhareka, kanë filluar me vendosjen e afisheve me mesazhe vetëdijësuese për publikun, për të vënë në pah pengesat e përditshme me të cilat përballen Personat me Aftësi të Kufizuara.
Pastaj para Administratës Komunale është realizuar performanca “Zyrë montuese e OPDMK”, me anë të së cilës është përsëritur kërkesa e kamotshme e OPDMK-së, për qendrën e qëndrimit ditor në Prizren për PAK të moshës mbi 16 vjeç.
Aktiviteti para Qendrës së Pensioneve dhe Sigurimeve Sociale ka vënë në pah barrierat ekzistuese në ndërtesat e institucioneve publike, pasi Personat me Aftësi të Kufizuara nga rajoni i Prizrenit janë përdorues të shërbimeve të kësaj qendre, por nuk kanë qasje të duhur.
Të enjten është realizuar edhe parakalimi bashkë me PAK-të, duke filluar prej ndërtesës së Beledijes deri te Sheshi i Lidhjes. Secili pjesëmarrës me karrocë ka bartur me vete mesazhe vetëdijësuese.
Për të ngritur zërin për padrejtësitë dhe barrierat e shumta në përditshmërinë e tyre, është idejuar performanca “Karrocat në kafaz”. Katër karroca të futura në kafaze në Shadërvan, në Kej, te Sheshi i Lidhjes dhe në rrugën “Adem Jashari” kanë përçuar porosinë te publiku për nevojën e respektimit të drejtave të PAK-ve.
Te Sheshi i Lidhjes është mbajtur edhe performanca publike “Ndalja e paragjykimeve”, ku krahas aktit të parë për paragjykimet në shoqëri janë adresuar edhe sfidat në qasje dhe barrierat në infrastrukturë; pastaj Edukimi për fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara dhe Punësimi i personave me aftësi të kufizuara.
Performanca është mbështetur nga vullnetarët dhe grupi i grave në politikë të Komunës së Prizrenit dhe është përmbyllur me sloganin e grave me aftësi të kufizuara ”Jemi të dukshme dhe krenare”.
Në vazhdim, me anë të aktivitetit “Kafe për të gjithë” është shprehur mungesa e qasjes në hapësirat publike në qendër të qytetit. Këtu PAK-të kanë shprehur qëndrimin se duan trajtim të barabartë.
Aktiviteti tjetër është realizuar në Shadërvan ku është shpalosur Harta e Barrierave. Kjo hartë është përditësuar nga viti 2016. Aty janë shënuar të gjitha barrierat e identifikuara. Njëkohësisht është theksuar se gjendja sa i përket barrierave nuk ka shënuar përparim të duhur.
Përmbyllja e “Javës së Distrofisë” është bërë në Kej duke shfaqur video sensibilizuese dhe motivuese, ku janë të përfshirë PAK.
"Java e Distrofisë" ka nisur të shënohet për herë të parë në vitin 2012 dhe që nga ajo kohë shënohet çdo vit në javën e tretë të muajit maj. Përmes aktiviteteve në këtë javë synohet të rritet ndërgjegjësimi i publikut për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara si dhe angazhimit për sigurimin e mundësive të barabarta për ta.

Rrjetëzimi