Seria e debateve “Green Talks - Biseda të gjelbra” vazhdon me Komunën e Suharekës

Seria e debateve “Green Talks - Biseda të gjelbra” ka vazhduar në Komunën e Suharekës, ku pos autoriteteve komunale kanë marrë pjesë edhe nxënësit dhe mësimdhënësit nga disa shkolla të kësaj komune. Qëllimi i këtij aktiviteti është nxitja e debatit për mjedis, duke i krijuar hapësirë nxënësve të shkollave të shprehin lirshëm idetë dhe sugjerimet e tyre ndaj përfaqësuesve të institucioneve. Përgjatë debatit institucionet kanë njoftuar të pranishmit për angazhimet dhe planet e tyre, me fokus në çështjet mjedisore.


Të pranishëm në debat kanë qenë Kryetari i Komunës z. Bali Muharremaj, nxënës e mësimdhënës nga shkollat fillore të mesme të ulëta “7 Marsi”, “Destan Bajraktari” dhe “Shkëndija” të cilët njëkohësisht janë edhe përfaqësues të klubeve të ekologëve të këtyre shkollave. Nxënësit shpalosën para kryetarit Muharremaj aktivitetet të cilat i realizojnë në nivel të shkollës, sikurse: shënimi i ditëve të mjedisit, aksione të pastrimit të hapësirave publike, shpërndarje e fletushkave me qëllim ndërgjegjësimi publik, organizim i ekspozitave për mbrojtje të ambientit dhe të ngjashme.


Më tej, përgjatë debatit Kryetari Muharremaj prezantoi investimet e Komunës përfshirë intervenimet në hapësirat publike, shtimin e hapësirave gjelbëruese, intervenime të cilat lidhen me menaxhimin e mbeturinave si dhe projekte të tjera të realizuara që janë të destinuara për mbrojtjen dhe kujdesin e ambientit.

Rrjetëzimi