Reagim lidhur me lajmin e publikuar në faqen e Facebook-ut të RTV Besa
Në faqen e Facebook-ut të RTV Besa është publikuar lajmi me titullin “Organizata për mbrojtjen e trashëgimisë kërkon leje për parkim të veturave në qendrën historike të Prizrenit”, në kuadër të cilit raportohet për një kërkesë të EC Ma Ndryshe të adresuar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit.
Fillimisht EC konsideron se media e sipërpërmendur nuk i ka përfillur dispozitat e Kodit etik të mediave, meqë para publikimit të lajmit është dashur ti dëgjojë argumentet e kësaj organizate, si dhe t’i japë hapësirën e duhur për prononcim si palë e barabartë në këtë raportim.
Mediumi në fjalë, me ose pa qëllim, kërkesën e EC-it drejtuar DSHP-së e citon pjesërisht dhe jo në tërësinë e saj.
EC për hir të informimit të drejtë të publikut sqaron se në këtë rast ka kanalizuar tek organet komunale një kërkesë të mësimdhënësve të Shkollës së Mesme të Muzikës "Lorenc Antoni" që kanë kërkuar me peticion lejim të qasjes me automjetet e tyre personale në parkingun përballë kësaj shkolle, një praktikë kjo e viteve të kaluara.
Është e vërtetë se në kërkesën e EC-it shkruan se kjo organizatë bashkë me mësimdhënësit e shkollës kërkon nga DSHP pajisjen me leje parkimi për ditët e punës.
Mirëpo në këtë kërkesë po ashtu qëndron fjalia që kjo kërkesë mund të refuzohet nga autoriteti përgjegjës. "Nëse një kërkesë e tillë nuk mund të aprovohet nga ana e drejtorisë suaj, atëherë kërkojmë që të na ktheni me shkrim arsyen e refuzimit të kërkesës sonë", thuhet në kërkesën e EC-it.
Arsyetimin e refuzimit eventual, EC e ka kërkuar me qëllim që të njoftohen mësimdhënësit me epilogun e kësaj kërkese respektivisht argumentet ligjore përkatëse.
Prandaj EC vlerëson se kjo kërkesë e mësimdhënësve, e mbështetur me një peticion, që është kanalizuar te organet komunale duhet të lexohet në tërësinë e saj, dhe jo vetëm pjesërisht.