Propozim-rregullorja për pjesëmarrjen e publikut në planifikim
Komuna e Prizrenit ka organizuar shqyrtimin e parë publik për propozim-rregulloren për pjesëmarrjen e publikut në planifikimin hapësinor.
Në diskutimin publik, zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinorë para të pranishmëve kanë prezantuar përmbajtjen e kësaj propozim-rregulloreje. Gjatë paraqitjes publike kanë pranuar se praktikat e deritanishme për përfshirjen e publikut në planifikim nuk kanë qenë të kënaqshme. Prandaj dhe kanë theksuar se mirëpresin kontributin e shoqërisë civile për zbatimin e veprimeve të cilat mundësojnë avancimin e përfshirjes së publikut në këtë proces, meqë sipas tyre kjo është një ndihmesë për punën e tyre.
Përfaqësues nga EC Ma Ndryshe kanë shpjeguar se nisma për një rregullore të këtillë ka lindur në kontaktet me drejtuesit e Kuvendit të Komunës, që është përcjellë më pastaj me angazhimin e dikastereve të Ekzekutivit komunal, opozitës, shoqërisë civile dhe UN-Habitatit, për hartimin e propozim rregullores në fjalë. Përmes këtij akti nënligjor synohet rritja e pjesëmarrjes së publikut në planifikim hapësinor si dhe ofrimi i kontributit më cilësor për planet e projektet e ndryshme të Komunës.
Në anën tjetër pjesëmarrësit në diskutimin publik kanë ofruar vërejtjet e tyre në lidhje me formulimin e dispozitave të caktuara dhe kanë propozuar edhe shtimin e neneve të caktuara. Zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë theksuar se konsultimet publike për propozim-rregulloren në fjalë do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme në bashkëpunim me aktivistët e shoqërisë civile.