Projektet në qendrën historike të Prizrenit të realizohen sipas legjislacionit
EC Ma Ndryshe përmes postimit të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës (linku: https://www.facebook.com/470042376770456/posts/1321281671646518/ ) është njoftuar se në adresë të saj është shprehur mirënjohja lidhur me procesin për "Hartimin e projektit të Regjenerimit Urban të brigjeve të lumit Lumëbardhi” në Prizren.
EC Ma Ndryshe dëshiron të njoftojë opinionin se nuk ka qenë pjesë e ekipit të përfshirë në procesin e hartimit të këtij projekti.
Madje në muajin maj ka adresuar disa shqetësime lidhur me këtë çështje (reagimi i plotë në linkun: https://www.facebook.com/ecmandryshe/posts/4086356651478572/), duke theksuar se procesi është jo-transparent, pa konkurs publik dhe pa pjesëmarrje qytetare. Për çështjet e adresuara në këtë reagim EC deri më tani nuk ka marrë përgjigje adekuate nga bartësit e këtij projekti.
Krahas kësaj EC-i rishtazi ka mësuar se autoritetet e trashëgimisë kulturore në Prizren, dy muaj më parë kanë parashtruar ankesë në institucionet e nivelit qendror lidhur me një aktvendim të DUPH-së së Komunës së Prizrenit për projektin e Rigjenerimit urban të brigjeve të lumit Lumëbardhi. Për më shumë në këtë ankesë ka pretendime se organi komunal duke tejkaluar institucionin përgjegjës për trashëgimi kulturore në këtë rast QRTK-në në Prizren ka nxjerrë aktvendim për çështjen në fjalë, respektivisht DUPH ka nxjerrë aktvendim pa aprovimin e QRTK-së. EC në ditët në vijim do ta hulumtojë edhe më tej këtë rast duke kërkuar informata dhe dokumente publike edhe nga institucionet lokale dhe ato qendrore.
Por duke marrë shkas nga njoftimi i Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, EC Ma Ndryshe shfrytëzon rastin që edhe njëherë ti shpreh brengat lidhur me procesin e hartimit të këtij projekti, që gjithsesi kërkon transparencë më të madhe, konkurs publik, pjesëmarrje të qytetarëve, por edhe pëlqim nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Prandaj edhe njëherë bënë thirrje që projektet që kanë të bëjnë me qendrën historike të qytetit dhe trashëgiminë kulturore të respektojnë legjislacionin në fuqi si dhe parimet e gjithëpërfshirjes së komunitetit.