PËRFUNDON ME SUKSES TRAJNIMIN INTENSIV TETË-DITOR PËR ZHVILLIMIN E AFTËSIVE PËR UDHËRRËFYESIT TURISTIK NË JANJEVË
Dymbëdhjetë pjesëmarrës të programit të trajnimit nga të cilët nëntë nga komuniteti shqiptar, dy nga komuniteti kroat dhe një nga komuniteti turk tanimë kanë përfunduar me sukses trajnimin intensiv tetë-ditor për Zhvillimin e Aftësive për Udhërrëfyesit Turistik në Janjevë, duke përfunduar gjithsej 58 orë ligjerata të cilat kanë mbuluar aspekte teorike dhe praktike të këtij profesioni dhe u janë dhënë certifikatat e tyre të merituara.
Gjatë programit të trajnimit, ata kanë përmirësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre në udhëzimin e vizitorëve nëpër mrekullitë kulturore dhe natyrore të Janjevës. Nga ekspozimi i monumenteve historike deri te ndarja e historive magjepsëse, këta udhërrëfyes turistik janë të pajisur tanimë me njohuritë bazë për t'u ofruar një eksperiencë të paharrueshme turistëve.
Urime të gjithë pjesëmarrësve për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur! Pasioni i tyre për të promovuar thesaret e Janjevës me siguri do të lërë një përshtypje të qëndrueshme tek çdo vizitor.
Trajnimi ishte pjesë e projektit tonë “Hartëzimi i turizmit rural në Janjevë” mbështetur nga projekti “Trashëgimia kulturore si nxitës për ringjalljen ekonomike të Janjevës” financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.