Përfundon cikli i parë i Shkollës

Me modulin e tretë mbi pjesëmarrjen publike në planifikim hapësinor, të mbajtur në Ohër, përfundoi cikli i parë i Shkollës për Planifikim dhe Zhvillim Urban. Pjesëmarrës të Shkollës ishin përfaqësues të institucioneve lokale e qendrore, shoqërisë civile, medias, zyreve projektuese, studentë dhe profesionistë të planifikimit hapësinor. Shkolla kishte gjithsej tre module, përmes të cilave u përçuan njohuri dhe përvoja mbi planifikimin hapësinor në Kosovë, rajon dhe BE tek pjesëmarrësit.

Moduli i parë i Shkollës u mbajt në Durrës gjatë muajit Shtator 2015. Qëllimi i këtij moduli ishte trajtimi i trendeve të urbanizmit në kontekstin global në përgjithësi dhe në kontekstin kosovar në veçanti. Ligjëruese të këtij moduli ishin: Elvida Pallaska (Parimet kryesore dhe debatet bashkëkohore në menaxhimin urban), Rozafa Basha (Urbanizmi i ri dhe sfidat e menaxhimit të qyteteve të Kosovës) dhe Metka Sitar nga Universiteti i Mariborit, Slloveni, (Kriteret e BE-së për menaxhim dhe zhvillim urban).

Në muajin pasues, në Shkodër, gjatë datave 23-25 tetor 2015 u mbajt moduli i dytë i Shkollës, ku u trajtuan temat që lidhen me trashëgimia kulturore dhe planifikimi hapësinor. Qëllimi i këtij moduli ishte të ofronte kuptim mbi rolin e trashëgimisë kulturore për regjenerimin urban dhe territorial, duke përfshirë politikat strategjike që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore. Gjatë këtij moduli ligjëruan: Luan Nushi nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (Përfshirja e trashëgimisë kulturore në planifikimin hapesinor të Kosovës), Sali Shoshi dhe Enes Toska nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Planet lokale të trashëgimisë kulturore në Kosovë) dhe Eliza Hoxha, arkitekte dhe anëtare e Bordit Këshillëdhnës të EC Ma Ndryshe.

Moduli i tretë dhe i fundit i ciklit të parë të Shkollës për Planifikim dhe Zhvillim Urban u mbajt në Ohër gjatë datave 20-23 Nëntor 2015. Ky modul u fokusua në pjesëmarrjen e publikut dhe integrimin e perspektivës gjniore në planifikim hapësinor. Ligjërues kësaj here ishin: Ardita Byci (Parimet kryesore të pjesëmarrjes publike në planifikim hapësinor), Klodeta Krasniqi, (Përvoja e UN Habitatit rreth planifikimit hapësinor me pjesëmarrje në Kosovë), Christine Kohlert, arkitekte dhe planere nga Universiteti i Dresdenit (Legjislacioni dhe praktikat e BE-së për planifikim hapësinor me pjesëmarrje) dhe Rozafa Basha, arkitekte dhe bashkëpunëtore profesionale e EC Ma Ndryshe.

Shkolla është organizim i përbashkët i OJQ EC Ma Ndryshe dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS). Detajet mbi ciklin e dytë të Shkollës do të bëhen publike në Janar 2016. 

Rrjetëzimi