Parkingjet publike në Prishtinë vazhdojnë të mbesin problem për qytetin
![Parkingjet publike në Prishtinë vazhdojnë të mbesin problem për qytetin](https://res.cloudinary.com/ecmandryshe/image/upload/v1607256009/images/18_02_2015_6186290_p_authority_q52v82.jpg)
Në kuadër të projektit Online Transparency, EC Ma Ndryshe gjatë disa muajve ka ndjekur zhvillimet rreth projektit të shumë përfolur të parkingjeve publike, për fillimin e projektimit të së cilave, dhe me qëllim të zgjidhjes së ngarkesës së komunikacionit në qytetin e Prishtinës, Komuna e Prishtinës e kishte informuar opinionin qysh në gusht të vitit të kaluar. Asokohe, komuna angazhoi ekspertë nga departamenti i komunikacionit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për të bërë inventarizimin e parkingjeve ekzistuese publike e private në zonën qendër të qytetit. Me menaxhimin e këtyre vendparkingjeve pritet të merret kompania publike Prishtina Parking, për themelimin e së cilës ishte votuar në Mbledhjen e Kuvendit të Prishtinës, të mbajtur më 29 shtator 2014.
Krijimi i kësaj kompanie u kontestua nga Ministria e Administratës dhe Pushtetit Lokal, me arsyetimin se vendimi mbi themelimin e Ndërmarrjes Publike Prishtina Parking, me seli në Prishtinë, nuk është në pajtim të plotë me nenin 6 të Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike si edhe me nenin 6.3 e 6.4 të Rregullores së Qeverisë mbi kriteret për krijimin e ndërmarrjeve publike lokale dhe pjesëmarrjen e komunave në Bordet e Drejtorëve të ndërmarrjeve rajonale. Për më shumë lexo komunikatën.