Panelet e dëmtuara në Lokalitetin Arkeologjik mbeten pa u riparuar edhe pas një viti

Një vit pasi EC Ma Ndryshe reagoi publikisht për dëmtimin e paneleve informuese në Lokalitetin Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes në Prizren, gjendja në terren vazhdon të mbetet e pandryshuar. Panelet e dëmtuara nuk janë riparuar, duke cenuar funksionin informues dhe edukativ të këtij lokaliteti, si dhe përvojën e qytetarëve dhe vizitorëve.


Lokaliteti Arkeologjik në Sheshin e Lidhjes është pjesë e trashëgimisë kulturore të Prizrenit dhe përfaqëson një hapësirë me vlera të veçanta historike e arkeologjike. Për këtë arsye, mirëmbajtja e tij duhet të jetë e vazhdueshme dhe në përputhje me standardet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. Neglizhimi i elementeve përcjellëse, siç janë panelet informuese, ndikon drejtpërdrejt në interpretimin e lokalitetit dhe në cilësinë e prezantimit të trashëgimisë.


EC Ma Ndryshe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin pa vonesë masat e nevojshme për riparimin ose zëvendësimin e paneleve të dëmtuara, si dhe të sigurojnë mirëmbajtje të rregullt të kësaj hapësire publike.


Njëkohësisht, u bëjmë thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi ndaj aseteve publike dhe të shmangin çdo veprim që çon në dëmtimin e tyre.

Hapësirat e trashëgimisë kulturore janë pasuri e përbashkët dhe ruajtja e tyre kërkon angazhimin e institucioneve, por edhe ndërgjegjësimin dhe kujdesin e komunitetit.


Reagimi i vitit te shkuar: https://www.facebook.com/profile/100076259550588/search/?q=lokaliteti%20arkeologjik

Rrjetëzimi