Organet e trashëgimisë kulturore kontestojnë lejen e Komunës së Prizrenit

Autoritetet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore në verë të këtij viti kanë evidentuar një rast të punimeve të paautorizuara në zonën mbrojtëse të Qendrës Historike të Prizrenit. Ky rast është adresuar tutje tek organet kompetente, dhe bazuar në përgjigjet që ka pranuar EC Ma Ndryshe nga institucionet e ndryshme, lënda në fjalë ende nuk ka marrë ndonjë epilog, ndërkohë që punët ndërtimore kanë vazhduar.


QRTK në Prizren ka njoftuar se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për rrënimin ose fillimin e ndërtimit të objekteve në rrugën “Fehmi Lladrovci”, dhe se përtej kësaj ka vërejtur se janë ndërmarrë punime pa pëlqimin e kësaj qendre brenda sipërfaqes së zonës mbrojtëse të QHP-së. Sipas njoftimit të QRTK-së, kjo shkelje është dokumentuar dhe raportuar te Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore dhe te Inspektorati i Komunës së Prizrenit.


Por Komuna e Prizrenit ka pasur interpretim tjetër për këtë zonë. Nga zyrtarët e DUPH-së së Komunës së Prizrenit, EC-i ka kërkuar informata nëse është lëshuar leja për rrënim të objekteve ekzistuese në rrugën “Fehmi Lladrovci”, dhe nëse është lëshuar leja ndërtimore pas konsultimeve me QRTK-në. “Lokacioni nuk është në kuadër të Qendrës Historike dhe në diametër prej 50m nuk ka objekte me status të mbrojtur përkohësisht. Është dhënë leja për rrënim pasi që objektet nuk kanë pas vlera historike”, thuhet në përgjigjen e DUPH-së.


Ndërkaq Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka bërë të ditur se pas njoftimit të QRTK-së, në gushtë të këtij viti, inspektorët kanë dalë në terren dhe kanë konstatuar se ndërtimi në këtë hapësirë ka nisur bazuar në lejen e lëshuar nga Drejtoria e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit. ITK-ja pas analizës së kësaj leje ndërtimore ka konstatuar se ndërtimi është lejuar pa kushte dhe kritere si dhe pa miratim nga institucionet kompetente të trashëgimisë kulturore, duke anashkaluar rregullat e përcaktuara me Ligjin për Qendrën Historike dhe Planin e Menaxhimit të kësaj qendre. ITK ka theksuar se lejen ndërtimore të lëshuar me kundërshtime ligjore e ka atakuar me ankesë në MMPHI, duke kërkuar prishjen e këtij vendimi dhe kthimin në rivendosje sipas legjislacionit në fuqi.


Zyra për Informim e MMPHI-së ka bërë të ditur se pas kërkesës së EC-it, në nëntor të këtij viti, ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prizrenit nëse DUPH-ja ka pranuar ankesë nga MKRS-ja, dhe se DUPH-ja ka theksuar se nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të kësaj natyre. Bazuar në këtë përgjigje MMPHI ka pohuar se në përputhje me legjislacionin për procedurat administrative ankesa është dërguar te organi komunal për vendosje me akt administrativ për këtë çështje.


EC konsideron se në rastet e tilla, sidomos që kanë të bëjnë me zonën historike, Komuna e Prizrenit nuk duhet të anoj kah interpretimet e njëanshme dhe se duhet të koordinohet me organet kompetente të trashëgimisë kulturore, si për respektimin e dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike ashtu edhe për zbatimin e Planit të Menaxhimit, me qëllim të ruajtjes e mbrojtjes së vlerave në këtë zonë të mbrojtur.

Rrjetëzimi