“One Wish For My Street” realizohet edhe me banorët e lagjes Bajram Curri në Prizren

Në kuadër të nismës “One Wish For My Street” (“Një dëshirë për rrugën time”), EC Ma Ndryshe ka vazhduar aktivitetet pjesëmarrëse me banorët e lagjes Bajram Curri në Prizren, duke bashkëbiseduar me qytetarët nga rrugët “Masar Shala”, “Nexhat Fanaj" ,“Tahir Sinani”, “Ylber Fanaj”, dhe zonat përreth. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte mbledhja e kërkesave, shqetësimeve dhe nevojave të banorëve lidhur me hapësirat publike dhe cilësinë e jetesës në lagjen e tyre.
Gjatë aktivitetit, në hapësirat publike u vendos harta e lagjes, e cila shërbeu si mjet interaktiv për identifikimin e problemeve, propozimeve dhe kërkesave të komunitetit. Aktiviteti u zhvillua përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët ndanë përvojat dhe shqetësimet e tyre lidhur me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Ndër çështjet e ngritura nga banorët ishin edhe disa probleme me ndriçimin publik, pasi në disa zona, ndonëse ekzistojnë shtyllat elektrike, mungojnë llambat ndriçuese. Banorët kërkuan gjithashtu shtimin e linjave të transportit publik me autobusë, si dhe përmirësimin e mundësive për parkim. Në veçanti, u kërkua krijimi i më shumë parkingjeve për banorët dhe parkingjeve për vizitorë, pasi mungesa e tyre po shkakton parkimin e automjeteve para hyrjeve të dyerve të shtëpive.
Gjatë bashkëbisedimeve u ngritën edhe shqetësime që lidhen me infrastrukturën për këmbësorë dhe çiklistë. Banorët evidentuan zaptimin e trotuareve, mungesën e vendkalimeve për këmbësorë, mungesën e ulëseve publike dhe të shtigjeve për biçikleta. Po ashtu, u kërkua asfaltimi i disa rrugëve që janë në gjendje të dobët, si dhe rregullimi i rrugëve të pakubëzuara në disa pjesë të lagjes.
Njëkohësisht, banorët adresuan probleme që lidhen me infrastrukturën dhe shërbimet teknike. Në disa pjesë të lagjes u raportua për presion të ulët të ujit, ndërsa u kërkua edhe eliminimi dhe sistemimi i kabllove elektrike të vendosura në mënyrë të papërshtatshme. Banorët ngritën gjithashtu nevojën për shtimin e hapësirave të gjelbëruara dhe mbjelljen e pemëve, duke theksuar mungesën e gjelbërimit në disa pjesë lagjes.
Ndër problemet e tjera të adresuara nga banorët ishte edhe prania e qenve endacakë, për të cilën u kërkua angazhim institucional për trajtimin e këtij problemi. Po ashtu, banorët kërkuan ndërhyrje për përmirësimin e kushteve të hapësirave publike dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt, më të qasshëm dhe më funksional për të gjithë banorët.
Të gjitha komentet, propozimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me qëllim që ato të shqyrtohen dhe të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e hapësirave publike dhe cilësisë së jetesës për banorët e lagjes Bajram Curri.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit ‘Public Spaces 4 All’, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



