Ndërhyrjet e fundit në rrugën për te Kroi i Pashës (Pasha Çeshme)

Ndërhyrjet e fundit në rrugën për te Kroi i Pashës (Pasha Çeshme), të iniciuara nga organet komunale të Prizrenit, kanë nxitur reagimin e grupeve të interesit si dhe të qytetarëve, të cilët kanë vlerësuar se në këtë mënyrë po degradohet natyra në këtë zonë. Njëherësh është kërkuar që organet kompetente shtetërore të marrin masa dhe ta ndalin këtë projekt.


Komuna e Prizrenit në rrjetet sociale ka bërë të ditur se bazuar në kërkesat për rregullimin e shtegut ekzistues të ecjes dhe çiklizmit, Drejtoria e Shërbimeve Publike ka filluar intervenimin për sanimin e rrugës, rregullimin e një shtegu për çiklistë, këmbësorë e sportistë që duan ta zhvillojnë aktivitetin në natyrë. Aty është theksuar se DSHP-ja po e realizon kërkesën e çiklistëve dhe se po i kryen detyrimet për mirëmbajtjen e hapësirave publike.


EC Ma Ndryshe konsideron se sqarimet e Komunës së Prizrenit për një çështje kaq të rëndësishme janë të pamjaftueshme respektivisht sipërfaqësore dhe nuk përkojnë me parimet e transparencës së plotë karshi publikut. EC në ditët në vijim do ta hulumtojë rrjedhën e këtij projekti dhe gjetjet e këtij hulumtimi do ti bëjë publike.


Në të njëjtën kohë bën thirrje tek organet përgjegjëse që të ndërmarrin të gjitha masat për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës në këtë zonë.
EC prej disa vitesh kërkon nga organet komunale të Prizrenit që politikat publike ti hartojë me qasje gjithëpërfshirëse, në mënyrë që projektet e saj të jenë të qëndrueshme dhe në shërbim të të gjitha grupeve të komunitetit, dhe si rezultat rastet e kësaj natyre mos të ndodhin.


Foto: SHB"SHARRI"

Rrjetëzimi