Mbahet takimi me banorët e lagjes “Vëllezërit Stavileci” në Prizren, diskutohen sfidat urbane

EC Ma Ndryshe ka mbajtur takimin me banorët e lagjes “Vëllezërit Stavileci” në Prizren në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, ku të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, derisa zyrtarët e KEDS-it ndonëse janë ftuar nuk kanë qenë prezent.


Në këtë takim, janë diskutuar problemet që prekin komunitetin, si furnizimi me ujë të pijes, cilësia e ujit të pijes, rrjeti i vjetër i ujësjellësit përkatësisht gypat prej asbesti dhe kërkesa për zëvendësimin e tyre. Gjithashtu janë cekur problemet me furnizimin me energji elektrike, gjendja e shtyllave elektrike sikurse edhe kabllot e shumta në to, etj.


Në të njëjtën kohë është theksuar edhe problemi me vend parkingjet në lagje dhe nevojën për zgjidhje praktike, për të cilat janë dhënë edhe propozime alternative nga banorët.


Përfaqësuesit nga KRU “Hidroregjioni Jugor” ofruan sqarime mbi shërbimet ekzistuese dhe inkurajuan qytetarët që të raportojnë problemet përmes kanaleve zyrtare, si dhe të adresojnë kërkesat me shkrim për zgjidhje konkrete.


Takimi u përmbyll me një vizitë në terren me kryetaren e këshillit lokal të lagjes, ku nga afër u panë problemet e evidentuara, me fokus të veçantë në gjendjen e shtyllave elektrike.


Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Rrjetëzimi