Mbahet aktiviteti “Green Talk” në Komunën e Pejës
EC ka vazhduar serinë e diskutimeve “Green Talks”, me aktivitetin e mbajtur në Komunën e Pejës. Qëllimi i këtij diskutimi ishte nxitja e debatit për cështjet mjedisore mes nxënësve të shkollave dhe përfaqësuesve të institucioneve, duke i dhënë hapësirë të dyja palëve të njoftohen lidhur me idetë dhe angazhimet e njëri-tjetrit në këtë fushë.
Të pranishëm në këtë takim kanë qenë kryetari i Komunës së Pejës z.Gazmend Muhaxheri, nxënës e mësimdhënës nga shkollat fillore “Asdreni”, “Lidhja e Prizrenit”,“Vaso Pashë Shkodrani” dhe “8 Marsi”.
Nxënësit shpalosën para kryetarit Muhaxheri aktivitetet të cilat i realizojnë, sikurse: shënimi i ditëve të mjedisit, mbjellje të fidanëve, aksione të pastrimit të hapësirave publike, shpërndarje e fletushkave me qëllim ndërgjegjësimi publik, aktivitete të cilat lidhen me menaxhimin e mbeturinave dhe të ngjashme.
Më tej, përgjatë debatit bashkë me Kryetarin Muhaxheri u diskutua rreth investimeve të Komunës, përfshirë intervenimet në hapësirat publike, funksionalizimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza, shtimin e hapësirave gjelbëruese, si dhe projekte të tjera të realizuara që janë të destinuara për mbrojtjen dhe kujdesin e ambientit.