Kuizi për Trashëgiminë Kulturore thellon njohuritë e nxënësve të Prizrenit
EC Ma Ndryshe ka organizuar Kuizin për Trashëgiminë Kulturore me nxënësit e shkollave të mesme të ulëta të qytetit të Prizrenit. Ky aktivitet ka për qëllim të nxisë angazhimin dhe kureshtjen e të rinjve për trashëgiminë kulturore vendore dhe ndërkombëtare përmes garës së dijes.
Në këtë kuiz ndërveprues kanë marrë pjesë dhjetë shkolla të Prizrenit, me ç’rast dhjetëra nxënës janë përfshirë në procesin e njohjes së vlerave të trashëgimisë kulturore, ku pas fazës kualifikuese dhe asaj të gjysmëfinales, në finale kanë garuar nxënësit e shkollave “Xhevat Berisha”, “Gani Saramati” dhe “Emin Duraku”.
Vendi i parë i ka takuar nxënësve të ShFMU “Emin Duraku”, vendi i dytë atyre të ShMU “Gani Saramati” dhe vendi i tretë nxënësve të ShFMU “Xhevat Berisha”.
Nxënësit pjesëmarrës këtë kuiz e kanë vlerësuar si një përvojë të dobishme për ta. Ndërsa synimi i EC-it është që kjo garë të organizohet në mënyrë tradicionale.
EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është duke zbatuar projektin “Trashëgimia kulturore gjithëpërfshirëse” që ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore në shkollat e Prizrenit, me fokus në arsimin e mesëm të ulët, përmes jetësimit të nismave dhe aktiviteteve jashtë kurrikulare, të karakterit informues, garues dhe praktikues, me qëllim të nxitjes së ndërgjegjësimit të gjeneratave të reja mbi rëndësinë dhe vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.