Krijohet këndi i gjelbër edukativ në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë

Në kuadër të aktivitetit “Veprime Lokale të Udhëhequra nga të Rinjtë – Aktivizimi i Komunitetit për Mbrojtjen e Mjedisit”, nxënësit e Gjimnazit “Hajdar Dushi” në Gjakovë kanë realizuar intervenimin që synon promovimin e ndërgjegjësimit mjedisor, duke funksionalizuar një kënd të gjelbër në ambientet e brendshme, i konceptuar si një hapësirë edukative për nxënësit.


Ky kënd përfshin struktura druri në të cilat janë vendosur bimë të ndryshme dekorative, duke krijuar një ambient natyral dhe estetik brenda shkollës.

Ndërhyrja synon të sjellë më shumë elemente të gjelbërta në përditshmërinë e nxënësve, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien dhe përvojën e tyre në hapësirat mësimore.


Hapësira është plotësuar gjithashtu me një ulëse për qëndrim, duke e bërë atë një vend të përshtatshëm për pushim, reflektim dhe ndërveprim mes nxënësve. Një element i veçantë i këtij këndi është edhe komponenti vizual informues, i cili paraqet kontrastin ndërmjet degradimit dhe gjelbërimit, i shoqëruar me mesazhe mjedisore ndërgjegjësuese.


Përmes kësaj nisme, synohet jo vetëm përmirësimi estetik i hapësirave të brendshme të shkollës, por edhe rritja e vetëdijes së nxënësve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe ndikimin e zgjedhjeve të përditshme në natyrë.


Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Horizonte të Gjelbra - Nisma e Tranzicionit të Gjelbër nga të Rinjtë dhe Komuniteti në Kosovën Perëndimore”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe në partneritet me Care International Balkans dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, si dhe me Syrin e Vizionit si bashkë-zbatues.

Rrjetëzimi