Komunat t’i publikojnë raportet vjetore të mbikëqyrjeve inspektuese për mbrojtjen e mjedisit
Ligji për inspektoratin e mjedisit, ujërave, natyrës, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit ka për qëllim në mes tjerash organizimin dhe mbikëqyrjen inspektuese, sikurse edhe koordinimin e mbikëqyrjes inspektuese, dhe çështje tjera me rëndësi në këtë aspekt. Mirëpo ky bashkërendim ende nuk është në nivelin e duhur, ndërmjet inspektoratit të nivelit lokal dhe atij qendror, pasi që për çështjet mjedisore niveli lokal nuk i raporton Inspektoratit të Ministrisë përmes raporteve vjetore, ani pse një gjë e tillë është obligim ligjor.
Mbikëqyrja inspektuese sipas legjislacionit nënkupton kontrollin dhe mbikëqyrjen për zbatimin e ligjit dhe akteve tjera ligjore, sikurse edhe zbatimin e masave administrative dhe masave tjera ndaj aktiviteteve punuese, personave fizikë dhe juridikë me qëllim të parandalimit, zvogëlimit dhe mënjanimit të parregullsive në zbatimin e ligjit dhe dispozitave tjera ligjore në fuqi.
Në bazë të Ligjit për inspektoratin e mjedisit, ujërave, natyrës, planifikimit hapësinor dhe ndërtimit organizimi i inspektoratit në nivel lokal në kuadër të drejtorive komunale realizohet sipas fushave përkatëse: Inspektorati komunal i mbrojtjes së mjedisit, dhe Inspektorati komunal i ndërtimit, ku caktimi i numrit të inspektorëve rregullohet nga organi i pushtetit lokal.
“Inspektorët komunal udhëheqin evidencën e mbikëqyrjeve inspektuese dhe janë të obliguara t’i raportojnë Inspektoratit të Ministrisë përmes raporteve vjetore në fushat përkatëse”, thuhet në dispozitat e këtij ligji.
Mirëpo sipas deklarimeve të zyrtarëve përgjegjës të MMPHI-së nuk ka raportime të rregullta nga inspektorati i nivelit lokal, ani pse do të duhej që në fund të vitit ta njoftojnë Inspektoratin e Ministrisë rreth punës së realizuar, me qëllim që kjo të shërbej edhe për bashkërendimin e aktiviteteve të linjës së njëjtë. Sipas tyre inspektorët e nivelit lokal përmbushin obligimet e tyre sipas legjislacionit sa i përket rasteve të veçanta dhe sipas kërkesës së Inspektoratit të Ministrisë, me ç’rast raportojnë sipas kërkesës së caktuar.
Duhet përkujtuar se Inspektorati komunal i mbrojtjes së mjedisit ushtron detyrat dhe përgjegjësitë përmes kontrollit dhe mbikëqyrjes inspektive në zbatimin e ligjeve në fushën e mbrojtjes së mjedisit, ujërave dhe natyrës, dhe se sipas legjislacionit duhet të realizojë mbikëqyrjen në zbatimin e masave dhe kushteve të përcaktuara me lejet komunale mjedisore, lejet ujore dhe të mbrojtjes së natyrës, të lëshuara nga Komuna.
EC Ma Ndryshe konsideron se në mungesë të dërgimit të raporteve vjetore në MMPHI si dhe me mos publikimin e tyre në ueb faqet e Komunës, publiku privohet nga e drejta për tu njoftuar dhe kërkuar përgjegjësi lidhur me rastet ndotjes së mjedisit, dëmtimit të mjedisit apo degradimit të mjedisit.
Për këtë arsye EC i bën thirrje autoriteteve publike që të përmirësojnë tutje bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet tyre për zbatimin e masave sikurse edhe mbikëqyrjen inspektuese me qëllim të mbrojtjes së mjedisit, sipas konceptit të zhvillimit të qëndrueshëm, në mënyrë që të minimizohet rreziku për jetën dhe shëndetin e njeriut sikurse edhe të krijesave tjera, si dhe të sigurohet ruajtja dhe mbrojtja e resurseve natyrore, paralelisht me nxitjen e pjesëmarrjes së publikut në aktivitetet për mbrojtjen e mjedisit.