KOMUNA E PRIZRENIT INSTALON NDRIÇIM NË SHTRATIN E LUMBARDHIT PA PËLQIM TË ORGANEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se është instaluar ndriçimi në shtratin e lumit “Lumbardhi”. Sipas informatave që ka pranuar EC Ma Ndryshe, ky intervenim është realizuar pa pëlqimin paraprak të organeve të trashëgimisë kulturore.


Drejtoria e Shërbimeve Publike përmes një përgjigjeje ka sqaruar se ka bërë një test për ndriçimin e brigjeve të Lumbardhit. Kjo drejtori ka theksuar se është bazuar në paragrafin 1.4 të nenit 6 të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, që përkufizon aktivitetet e kufizuara, e ku thuhet se “Vendosja e reklamave të përhershme, shenjave private, dekorimeve, apo elementeve penguese me sipërfaqe më të madhe se një metër katror dhe pa pëlqimin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Prizrenit”. Sipas DSHP-së, “elementi i vendosur nga ana e jonë është më i vogël se një metër katror dhe drejtoria pas kësaj faze testuese ka aplikuar për marrjen e Lejes në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor”.


EC përkujton se Qendra Historike e Prizrenit është një zonë e mbrojtur me ligj, dhe konsideron se për projektet e tilla nevojitet konsultimi me organet e trashëgimisë kulturore, të cilat kanë një rol të rëndësishëm në garantimin e integritetit të kësaj zone.


Për këtë arsye, EC i bën thirrje autoriteteve lokale që të respektojnë dispozitat për trashëgiminë kulturore në mënyrë të kujdesshme dhe të përgjegjshme, ku konsultimi i rregullt me organet e trashëgimisë kulturore do të kontribuonte drejt rritjes së kujdesit për ruajtjen e kësaj zone të rëndësishme historike dhe kulturore.

Rrjetëzimi