Koha e fundit për të shpëtuar Zambakun e Prizrenit
Një numër i konsiderueshëm profesionistësh dhe aktivistësh të kulturës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me trajtimin nënçmues që po i bëhet festivalit. Kulmi i degradimit u arrit në edicionin e këtij viti të festivalit, ku u shkelën rëndë edhe rregullat e festivalit, si profesionale (artistike) ashtu edhe organizative. RrOK Prizren i bashkohet thirrjeve dhe kritikave të artikuluara nga profesionistët dhe qytetarët e Prizrenit dhe i bën thirrje Komunës së Prizrenit dhe institucioneve tjera shtetërore që të veprojnë urgjentisht për të shpëtuar Zambakun e Prizrenit. Dështimi për të ofruar një zgjidhje të qëndrueshme nënkupton shkatërrim të tërësishëm të festivalit.
RrOK Prizren mendon se festivali duhet të shpëtohet përmes një veprimi të koordinuar mes disa institucioneve shtetërore dhe organizatave të pavarura të kulturës. Ne i bëjmë thirrje Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Kulturës, Filharmonisë së Kosovës, Shkollës së Muzikës Lorenc Antoni në Prizren, Radio Televizionit të Kosovës që sa më parë të themelojnë një trup të përbashkët veprimi për ti diskutuar opsionet rreth shpëtimit të festivalit. Ne si rrjet i organizatave të kulturës, shprehim gatishmërinë tonë për të qenë pjesë e procesit për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të shpëtuar festivalit dhe kultivuar traditën e këngës së së vjetër qytetare. Zambaku i Prizrenit së shpejti do ta kremtojë 30 vjetorin e themelimit, ndërsa institucionet dhe shoqëria nuk duhet të lejojnë që ky përvjetor jubilar të gjejë festivalin në këtë gjendje të degraduar.