“Këtu mund të ishte një poç”
Për vite me radhë mungesa e ndriçimit publik nëpër lagjet dhe rrugët e Prizrenit është adresuar si shqetësim nga qytetarët, sidomos nga komuniteti i grave dhe komuniteti i të rinjve. Kjo për arsye se ndriçimi publik ka rol shumë të rëndësishëm në krijimin e hapësirave të sigurta për të gjithë.
EC Ma Ndryshe në faqen mahalla.info ka pranuar me dhjetëra raportime për mungesë të ndriçimit publik, dhe në këtë drejtim gjatë vitit 2021 ka dërguar një numër të konsiderueshëm kërkesash për instalim dhe rregullim të ndriçimit publik në lagje të ndryshme të Komunës së Prizrenit.
Pas takimeve të rregullta me banorët e lagjes “Bajram Curri” dhe shprehjes së shqetësimit rreth mungesës së ndriçimit publik në shumë rrugë të kësaj lagje, me qëllim të nxitjes së debatit publik dhe ngritjes si çështje problematike, EC së bashku me banorët kanë vendosur ta realizojnë performancën “Këtu mund të ishte një poç” ku për një orë në disa shtylla elektrike pa ndriçim janë vendosur poce elektrike të improvizuara që simbolizojnë nevojën esenciale për ndriçim publik.
Prandaj rekomandohen institucionet kompetente për trajtim sa më serioz të këtij problemi i cili është mjaft shqetësues për një pjesë të madhe të qytetarëve. Rritja e sigurisë në lagjet dhe rrugët e komunës sonë duhet të trajtohet me seriozitet andaj instalimi i ndriçimit publik aty ku mungon, dhe riparimi i ndriçimit ekzistues duhet të realizohet në kohë sa më të shpejtë.