Institucionet konfirmojnë degradimin urbanistik në Qendrën Historike të Prizrenit

Anëtarët e Task Forcës për Qendrën Historike të Prizrenit kanë zhvilluar takimin e pestë, me ç’rast kanë shqyrtuar informacionet nga Sekretariati përkatësisht Drejtoritë komunale lidhur me 47 rastet e ndërtimit, pas aprovimit të Ligjit për QHP-në. Në kuadër të diskutimeve përfaqësuesit e institucioneve që janë pjesë e kësaj Task Force kanë konfirmuar degradimin urbanistik në këtë zonë. Sipas tyre pothuajse në pjesën dërmuese të ndërtimeve apo intervenimeve ka tejkalime të llojeve të ndryshme të lejeve urbanistike.
 
Përfaqësuesi i QRTK-së ka theksuar se në 90 për qind të rasteve ka tejkalime nga lejet e DUPH-së, pavarësisht nëse bëhet fjalë për shkelje të vogla apo të mëdha. Ndërsa Inspektorati i Komunës ka listuar disa raste, ku ka tejkalime në etazhitet dhe gabarit, ndërkohë është konfirmuar se ka edhe 9 raste më ekstreme të shkeljeve të kritereve urbanistike në këtë zonë, e që janë ndërtime para se të aprovohej Ligji për QHP-në.

Përfaqësues nga MMPH-ja kanë bërë të ditur se trajtimi i të gjitha rasteve duhet të bëhet konform ligjit, ku pikë primare është ndalimi i trendit të degradimit, por edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe zyrtarëve institucional për nevojën e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në QHP.

Për takimin e radhës është kërkuar informimi në lidhje me stimulimin financiar në mënyrë që objektet të ruhen nga rrënimet dhe degradimi që sjellë faktori kohë, derisa diskutime do të ketë edhe për fuqizimin e KTK-së në Prizren dhe Zyrës për Qendrën Historike të Prizrenit. 

EC Ma Ndryshe është e pranishme në takimet e Task Forcës në cilësinë e monitoruesit.

Rrjetëzimi