Inaugurohet parku në lagjen Lakuriq e dizajnuar nga idetë e vet banorëve

Në një atmosferë plot entuziazëm të krijuar nga fëmijët e lagjes, të shtunën më 31 Tetor, është inauguruar parku i ri në lagjen Lakuriq të Prizrenit. Nikoqir të ceremonisë së inaugurimit ishin kryetari i Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka, drejtor i DSHP z. Osman Krasniqi dhe drejtori ekzekutiv i EC Ma Ndryshe z.Valon Xhabali bashkë me koordinatorin e projektit z.Enes Toska.

Dizajni i parkut të ri për lagjen Lakuriq është kryer në kuadër të projektit “HAPËSIRAT re-PUBLIKE (rePUBLIC SPACES)” nga EC Ma Ndryshe përmes metodologjisë së planifikimit urban me pjesëmarrje të banorëve të lagjes bashkë me lojën virtuale ndërkombëtarisht të njohur - MineCraft të fondacionit Bllok pas Blloku. Investimi në park, në vlerë prej 50.000$ është bërë në bashkëfinancim mes Komunës së Prizrenit dhe EC Ma Ndryshe, gjegjësisht UN-HABITAT.

Në kuadër të këtij parku janë ndërtuar: fusha e basketbollit dhe futbollit të vogël (e përshtatshme edhe për tenis), shtigje për lëvizje të përshtatshme edhe për persona me aftësi të kufizuara, lojëra të ndryshme dhe vizatime të kryera në hapësira të parkut nga vet fëmijët, ulëse të formave e materialeve të ndryshme, tavolinë për shah, ndriçimi publik, shporta për mbeturina, hapësirë për parkim të biçikletave, shtylla anti-parking si dhe rregullimi i peizazhit, përfshi këtu mbjelljen e drunjëve dhe të barit.

Ky projekt është njëri prej rezultateve të projektit rePUBLIC SPACES dhe rrjedh nga procesi i gjatë gjithëpërfshirës që ka filluar vitin e kaluar. Projekti ka përfshirë hartimin dhe dizajnin e 6 hapësirave publike në lagjet Lakuriq, Bazhdarhane, Dardania dhe Ortakoll. Gjatë procesit janë ftuar të gjithë banorët e lagjeve përkatëse dhe janë mbajtur takime, konsultime, punëtori e prezantime ku bashkërisht janë identifikuar problemet në hapësirat publike të përzgjedhura e më pas janë ofruar zgjidhje dhe dizajn urban për ndërtim dhe përmirësim të këtyre hapësirave.

Projekti pos gjithpërfshirjes ka përfunduar edhe dizajnin dhe planin zbatues detaj për të gjithat hapësirat e lartpërmendura dhe është marrë pëlqimi edhe nga banorët e lagjes rreth investimeve në këto hapësira. Komuna e Prizrenit është zotuar që do të vazhdojë me qasje të njejtë të investojë edhe në hapësirat tjera të identifkuara përmes këtij projekti.

Gjatë inaugurimit në lagjen Lakuriq kryetari i Komunës së Prizrenit ndër të tjera theksoi se ky park “është një shembull i mirë se si duhet të rregullohen hapësirat publike ngase procesi ka shkuar nga fillimi në bazë të konsultimeve me komunitetin ku në bazë të kërkesave të tyre është kryer edhe vet projekti”.

Drejtori i EC Ma Ndryshes z.Xhabali në inaugurim shprehi entuziazmin e tij se “Prizreni në vitin 2021 mund të shëndrrohet në model për qytetet tjera ku hapësirat publike janë në shërbim dhe shfrytëzim të komunitetit”.

Ky projekt ka qenë pjesë e projektit “HAPËSIRAT re-PUBLIKE (rePUBLIC SPACES)” objektivi i përgjithshëm i së cilit ishte promovimi i hapësirave publike të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qasshme në Prizren nëpërmjet dialogut të politikave, projekteve të hartuara dhe të demonstruara nga komuniteti, të cilat synojnë përmirësimin e jetesës së banorëve dhe komuniteteve të pa favorizuara.

Reportazhi i Televizioni Prizrenit nga dita e inaugurimit
https://www.facebook.com/1643311899225341/videos/697427754243424

Rrjetëzimi