“Green Talk” realizohet edhe në Komunën e Dragashit
EC Ma Ndryshe ka vazhduar serinë e diskutimeve për çështjet mjedisore “Green Talk”, me aktivitetin e mbajtur në Komunën e Dragashit. Qëllimi i këtij diskutimi ishte nxitja dhe krijimi i praktikave më të mira të të menduarit mbi edukimin mjedisor. Ky edukim promovon kulturën e përgjegjësisë kolektive, por edhe vetëdijen se si çdo njëri nga ne mund të kontribuojë në kauza mjedisore si nga këndvështrimi i organizatës ashtu edhe nga perspektiva individuale dhe komunale.
Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetari i Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, si dhe nxënësit e mësimdhënësit nga shkolla fillore “Fetah Sylejmani” dhe nga shkolla e mesme “Ruzhdi Berisha”.
Në fillim EC-i ka shpalosur angazhimet, aktivitetet mjedisore dhe projektet të cilat ndërgjegjësojnë dhe zbusin gjurmën ekologjike. Ndërsa nxënësit para kryetarit Xheladini kanë prezantuar aktivitetet, të cilat i realizojnë, si: shpërndarja e broshurave për riciklim dhe ndërgjegjësim, aksionet e pastrimit, mbjellja e fidanëve, promovimi i bioteknologjisë si risi e nevojshme për komunën si dhe aktivitete të tjera te organizuara nga grupet ekologjike të shkollave pjesëmarrëse.
Më tej, me kryetarin Xheladini është diskutuar lidhur me investimet e Komunës, që kanë si prioritet mjedisin. Ai ka veçuar ndotjen e ujit nga pesticidet, pastaj iniciativën për ndërtimin e disa impianteve për ujërat e zeza, mbjelljen e fidanëve në disa lokacione, projektin për menaxhim të integruar të mbeturinave veçmas atyre të ngurta. Ai i ka bërë thirrje të rinjve për angazhim rreth mbrojtjes së mjedisit, dhe është zotuar se do të marrë pjesë në aktivitetet me nxënësit në shërbim të mjedisit.