Gjuha rome njihet si gjuhë në përdorim zyrtar në këtë komunën e Prizrenit
Angazhimi shumëvjeçar i aktivistëve të komunitetit rom, të cilët në këtë rrugëtim janë përkrahur edhe nga aktivistët e komuniteteve të tjera, është kurorëzuar me vendimin e Kuvendit të Komunës së Prizrenit për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar në këtë komunë.
Vazhdimësia prej shekujsh e pranisë së gjuhës rome në këtë qytet është vlerë e Prizrenit, që tani vetëm se konfirmohet edhe me vendimin e organeve komunale për përdorimin zyrtar të kësaj gjuhe, që duhet të jetë një mbështetje shtesë që ky komunitet ta ruajë e kultivojë identitetin dhe kulturën e vet.
EC Ma Ndryshe si pjesë e Koalicionit Ad Hoc të Organizatave të Shoqërisë Civile për koordinim dhe bashkëveprim në aktivitetet avokuese dhe lobuese për avancimin e të drejtave të komunitetit rom, konsideron se vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për njohjen e gjuhës rome si gjuhë në përdorim zyrtar promovon vlerat e shoqërisë së Kosovës në respektimin e diversitetit etnik e kulturor, dhe tani i njëjti duhet të gjejë zbatim edhe në praktikë.