EC Ma Ndryshe ka realizuar aktivitetin tre ditor “Shkollën e Aktivizmit në Komunitet”
EC Ma Ndryshe ka realizuar aktivitetin tre ditor “Shkollën e Aktivizmit në Komunitet”, që ka për qëllim aftësimin e të rinjve dhe ofrimin e një përvoje unike për aplikimin e dijeve të fituara në praktikë.
Përgjatë këtyre ditëve të rinjtë nga komuna Ferizajt, Gjilanit, Hanit të Elezit, Kamenicës, Kaçanikut dhe Prizrenit janë informuar mbi mekanizmat e aktivizmit dhe metodat e mobilizimit. Ata patën mundësi që përmes ligjëratave dhe punëtorive të organizuara, të angazhohen rreth temave të ndryshme.
Bashkë me ligjëruesit, trajnerët dhe mentorët, pjesëmarrësit përmes detyrave të dhënave diskutuan mbi zhvillimin e qëndrueshëm, gjurmët ekologjike dhe se si secili individ ndikon në mjedis. Gjithashtu e drejta për një mjedis të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm ishte pjesë e diskutimeve ku nxënësit patën mundësinë të ndajnë mes vete problemet që hasin çdo ditë sa i përket planifikimit urban dhe mungesës së hapësirave të gjelbra.
Po ashtu, ata u informuan rreth të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, me theks të veçantë rreth të drejtës për qasje në dokumente publike, si dhe rreth rolit të artistit/es në shoqëri përmes ideve, koncepteve, in
tervenimeve artistike, edukimit dhe aktivizmit.
Gjatë ditës së fundit u realizua punëtoria e quajtur “Një material. Një produkt”, në të cilën pjesëmarrësit patën mundësinë që të punojnë vetëm me një material (qeset e plastikës) duke realizuar kështu një produkt funksional.
Gjatë këtij trajnimi të rinjtë mësuan edhe rreth dizajnimit të ciklit të një projekti, hapave të realizimit të një projekti, pasi të gjithë pjesëmarrësit kanë aplikuar në shkollë me një ide të tyren të cilën ata e shohin të nevojshme ta realizojnë për të mirën e komunitetit.
Për përpunimin e këtyre ideve fillestare të tyre, pjesëmarrësit janë asistuar nga trajnerët dhe mentorët përmes punëtorive dhe punës në grupe.
Në fund të kësaj shkolle të gjithë pjesëmarrësit janë pajisur edhe me certifikata të pjesëmarrjes.