EC Ma Ndryshe dhe QRTK Prizren fillojnë hartimin e projektit të rigjenerimit urban të rrugës “Marin Barleti”

Më 28 maj 2018, në ambientet e ndërtesës së Kuvendit të vjetër (Beledijes) është nënshkruar Letra e Marrëveshjes për hartimin e projektit të “Revitalizimit dhe integrimit socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, shefja e Zyres së BE-së në Kosovë znj. Nataliya Apostolova, kryetari i Komunës së Prizrenit z. Mytaher Haskuka, përfaqësuesja e Ambasadës Britanike znj. Chablise Stoner dhe drejtori ekzekutiv i EC Ma Ndyshe z. Edon Mullafetahu.

Ky projekt koordinohet nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore (QRTK) në Prizren dhe EC Ma Ndryshe, financohet nga MKRS, zyra e BE-së në Kosovë, Ambasada Britanike në Prishtinë përderisa mbështetet nga Komuna e Prizrenit.

Qëllimi kryesor i projektit është krijimi i një shembulli pozitiv të rigjenerimit urban që do të ndikojë në ruajtjen e karakterit historik të qytetit dhe ofrimi i kushteve optimale për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal.

Projekti përbëhet nga dy komponenta kryesore, ajo e konservimit dhe zhvillimit lokal. Në kuadër të komponentës së konservimit do të trajtohen ndërtesat me vlerë të trashëgimisë kulturore dhe rehabilitimi e ridizajnimi i infrastrukturës urbane (rrugët, trotuaret, mobilaria urbane, ndriçimi publik, drenazhimi, fasadat e ndërtesave të reja dhe shenjëzimi). Në kuadër të komponentës së zhvillimit do të organizohen takime konsultative e punëtori vizionimi me të gjithë banorët e lagjes si dhe do të hartohet plani i mirëmbajtjes së ndërtesave të trashëgimisë kulturore. Poashtu një fokus i veçantë do të vihet në hartimin e politikave zhvillimore duke përkrahur pronarët e zonës me modele kreative të biznes planeve, si dhe do të trajtohet procesi për kthim të qëndrueshëm nga perspektiva e integrimit ekonomik të banorëve të lagjes.

Projekti parashikohet të zgjasë deri në vjeshtë të këtij viti.

Rrjetëzimi