Drekat e derivatet, shpenzime që duhet të kontrollohen

Tryeza e diskutimit “Drekat e derivatet, shpenzime të nevojshme apo luks” e organizuar të mërkurën nga EC Ma Ndryshe ka nxjerrë në pah nevojën për shtimin e kontrollit të brendshëm te komunat e Kosovës për shpenzimet e reprezentacionit dhe ato për karburante. Panelistët e tryezës Lulzim Kabashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit, Gazmend Muhaxheri, kryetar në Komunën e Pejës, Qerkin Morina nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm dhe Bekim Salihu nga Instituti GAP kanë sjellë këndvështrime të ndryshme mbi këto shpenzime, ku zyrtarët e pushtetit lokal kanë dhënë arsyetime për harxhimet, derisa përfaqësuesi i Auditorit dhe ai i shoqërisë civile kanë insistuar për arsyeshmëri dhe racionalitet më të madh në performansën financiare të nivelit komunal. Përfaqësues nga Komuna të ndryshme të Kosovës po ashtu kanë ofruar përvojat në lidhje me këto zëra buxhetorë.

Gjatë diskutimeve ka ekzistuar pajtimi se komunat në përgjithësi nuk kanë politika të shkruara për shpenzimet e reprezentacionit e as  kontrolle të mjaftueshme për shpenzimin e derivateve, me përjashtime të vogla. Për adresimin e sfidave në këtë drejtim, në mënyrë që shpenzimi i parasë publike të jetë konform standardeve të qeverisjes së mirë, është dhënë rekomandimi që të iniciohet procesi për hartimin e akteve nënligjore që do të vendosnin kontroll më të madh mbi këto shpenzime në nivelin lokal.

Tryeza e diskutimit është organizuar në kuadër të projektit “Indeksi i Reformës së Transparencës Komunale”. Projektin në fjalë EC Ma Ndryshe ka nisur që ta zbatoj nga maji i vitit 2015, falë përkrahjes së Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, i cili ka shtrirje në komunat e mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj dhe Gjakovë, sikurse edhe në Suharekë, Rahovec, Malishevë, Dragash, Mamushë dhe Shtërpcë.

Projekti ka për qëllim që ti asistoj komunat në identifikimin e mangësive kryesore sa i përket transparencës sikurse edhe të ofroj udhëzime për adresimin dhe tejkalimin e tyre. Indeksi i Transparencës paraqet edhe një përpjekje të strukturuar për të mbështetur komunat e Kosovës në përmbushjen e standardeve të qeverisjes së mirë, të përcaktuara me reformën e qeverisjes lokale dhe agjendën evropiane të Kosovës.

 

Rrjetëzimi