Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit
Çdo vit, 9 dhjetori shënohet si Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, pasi u vendos në vitin 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Në këtë ditë, EC Ma Ndryshe ka realizuar aktivitetin e shpërndarjes së kartolinave me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve kundër korrupsionit, luftimin dhe parandalimin e këtij fenomeni. Kartolinat janë shpërndarë në formë të dhuratës si shenjë simbolike e fenomenit të korrupsionit si akt i kundërligjshëm. Përmes këtij aktiviteti, synohet të improvizohet një situatë e atillë se si qytetarët do të mund të përballeshin në përditshmërinë e tyre me një aferë korruptive përmes dhënies apo marrjes së të mirave materiale për përfitime personale në mënyra të kundërligjshme. Në kartolina gjinden edhe informatat e sakta që u mundësojnë qytetarëve të referohen se ku duhet të adresohen dhe të raportojnë për këtë fenomen.
Aktiviteti është realizuar në Komunën e Prizrenit dhe Prishtinës. Gjatë ditës aktiviteti pritet të vazhdohet edhe në Komunën e Gjakovës, ku atje do të na bashkangjitet edhe OJQ lokale Activism Roots.
EC përmes këtij aktiviteti, u bënë thirrje qytetarëve të jenë sa më bashkëpunues në luftën kundër korrupsionit si pengesë kryesore që zbeh shanset për zhvillim të mëtutjeshëm të vendit filluar nga aspekti politik, ekonomik e social. Si dhe, fton insitucionet të jenë transparente dhe llogaridhënëse në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive gjegjëse.