Dita e Mjedisit është shënuar nga EC Ma Ndryshe në Komunën e Rahovecit
Për nder të kësaj dite është organizuar diskutim ndërmjet komunitetit shkollor e vendimmarësve të qeverisë komunale, ku janë trajtuar çështjet lidhur me shtimin e kujdesit për mbrojtjen e mjedisit.
Pjesëmarrës në këtë “Green Talk” kanë qenë kryetari i Komunës së Rahovecit, z.Smajl Latifi dhe zyrtarja e Sektorit të Mbrojtjes së Mjedisit të kësaj komune, znj. Bjondina Ramaj Fazliu, dhe në anën tjetër nxënësit dhe mësimdhënësit nga shkollat fillore: “Gëzim Hamza”, “Isa Boletini”, “Sadedin Hajda” dhe “Hamëz Thaqi”.
Në fillim janë prezantuar aktivitetet e EC-it për mbrojtje të mjedisit me qasjen gjithëpërfshirëse. Më pastaj përfaqësuesit e secilës shkollë kanë prezantuar aktivitetet e tyre, të cilat i zhvillojnë në kuadër të grupeve ekologjike.
Diskutimi vazhdoi nga kryetari i Komunës duke prezantuar projektet që janë në implementim e sipër, si dhe planet për të ardhmen. Këto projekte përfshijnë trajtimin e ujërave të zeza, me theks të veçantë ndërtimi i impianteve, si dhe projekte që synojnë zbutjen e ndotjes së ajrit, menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe problemet në lidhje me deponinë e vetme, pastaj ripyllëzimin e sipërfaqeve të zhveshura, ku për këtë vit është planifikuar ripyllëzimi i një sipërfaqeje prej 30ha, projekte që promovojnë energjinë e gjelbër përmes paneleve solare dhe mullinjve të erës dhe projekte të tjera për krijimin e shtigjeve të biçikletave.
Gjatë këtij diskutimi kryetari është përgjigjur në pyetjet e nxënësve dhe ka ofruar bashkëpunimin e komunës për realizimin e ideve të tyre.