Diskutim për mjedisin me kryetarin e Komunës dhe të rinjtë e Gjilanit

EC Ma Ndryshe ka realizuar diskutimin “Green Talks” me të rinjtë e Komunës së Gjilanit. Në këtë takim pjesëmarrës ishin kryetari i kësaj Komune, z. Alban Hyseni në cilësi të panelistit, nxënësit, përfaqësuesit e menaxhmentit e mësimdhënësit nga shkollat fillore “Abaz Ajeti”, “Musa Zajmi”, “Selami Hallaqi” e “Thimi Mitko”, si dhe të rinj të kësaj Komune.


Fillimisht EC-i ka prezantuar projektin në kuadër të cilit u realizua ky diskutim, aktivitetet e tjera të realizuara në kuadër të projektit si dhe rezultatet e deritanishme.


Më tej, përfaqësuesit e secilës shkollë pjesëmarrëse në takim, patën mundësinë që të prezantojnë para kryetarit aktivitetet që i realizojnë, që kryesisht janë të fokusuara në mbrojtje të mjedisit.
Organizimi i aksioneve të pastrimit si mënyrë avokuese për mbrojtje të mjedisit, shënimi i ditëve mjedisore, realizimi i fushatave ndërgjegjësuese, prodhimi i dokumentarëve ishin disa nga aktivitetet të cilat të rinjtë i shpalosën para të pranishmëve.


Nga ana tjetër, Kryetari z.Hyseni shpalosi para të rinjve angazhimet e Komunës, me fokus në çështjet mjedisore duke theksuar kështu planet dhe projektet që do të realizohen në lidhje me trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave, krijimin e “Gjepave të gjelbër” nëpër lagjet e qytetit të Gjilanit, shtimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbërta, organizimin e aksioneve të pastrimit për largimin e deponive ilegale dhe projekte të tjera të ngjashme.
Kurse gjatë diskutimit dolën edhe disa kërkesa konkrete nga të rinjtë, për realizimin e të cilave kryetari potencoi që Komuna e Gjilanit është e gatshme dhe bashkëpunuese në realizimin e kërkesave dhe nevojave të tyre.


Aktiviteti “Green Talk” është realizuar më herët në Komunën e Prizrenit, Lipjanit, Gjakovës, Ferizajt, Mitrovicës, Suharekës, Pejës dhe pas Gjilanit, do të organizohet edhe në komunat tjera.

Rrjetëzimi