Barazi gjinore edhe në emërtime të rrugëve e shesheve publike

EC Ma Ndryshe sot ka organizuar performansën publike “Barazi gjinore edhe në emërtime të rrugëve e shesheve publike”. Përmes këtij aktiviteti EC ka adresuar problemin e mospërfshirjes së grave në emërtime të rrugëve, rrugicave dhe shesheve publike të Kosovës. Kjo ngase kemi të bëjmë me një tregues tjetër të diskriminimit gjinor që mbretëron në sferën publike të vendit tonë.

Performansa është realizuar me vendosjen simbolike të disa shenjave të rrugëve me emra grash në Prishtinë, Prizren dhe Graçanicë ku EC ka bashkëpunuar me OJQ lokale CSD - Communication for Social Development.

Emërtimet e rrugëve të përdorura në këtë performansë shërbejnë vetëm për qëllim të reagimit dhe nxitjen e debatit publik për temën e barazisë gjinore në vendin tonë. Emërtimet e reja të përdorura në këtë performansë nuk synojnë assesi kritikën ndaj personaliteteve burra në emërtimet e rrugëve të mësipërme.

Performansës publike i ka paraprirë një hulumtim, të cilin EC Ma Ndryshe e ka bërë për çështjen në fjalë. Në bazë të listës së siguruar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës del se në 32 komuna të Kosovës nga 21,508 rrugë, 13,840 mbajnë emra burrash ose 57,3%, dhe vetëm 707 ose 3.6% mbajnë emra grash, derisa 6,961 ose 39.1% mbajnë emra tjerë (emërtimet e rrugëve që nuk kanë përcaktim gjinor individual, sikurse "Demokracia", "Gjeravica", "8 marsi", "Mirusha", "Tirana", etj.). Shih vegëzën për infografikën https://www.ecmandryshe.org/?page=1,17,742.

Prandaj, rekomandimi për autoritetet dhe organet komunale është që aspektin e barazisë gjinore ta kenë parasysh gjithmonë, në çdo vendimmarrje, ashtu që të shmanget çfarëdo lloj diskriminimi. Gjithashtu rekomandohen të gjitha komisionet përkatëse komunale që lidhur me këtë çështje të respektojnë dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore, ashtu që të merret parasysh barazia gjinore jo vetëm në rastin e rrugëve, rrugicave e shesheve por edhe në rastin e emërtimit të institucioneve, shkollave e rrugëve.

Kjo performansë është realizuar në kuadër të aktiviteteve të projektit “Qytetaria aktive dhe komunat e përgjegjshme në Kosovë” që mbështetet nga Olof Palme International Center (OPIC) të financuar nga Qeveria e Suedisë.

Rrjetëzimi