Banorët marrin sqarime nga përgjegjësit e Kompanisë së Ujësjellësit
Banorët e lagjes Bazhdaranë në Prizren, të cilët prej vitesh përballen me reduktime në furnizimin me ujë, kanë marrë sqarime lidhur me këtë çështje nga përgjegjësit e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, në një takim që është ndërmjetësuar të mërkurën nga EC Ma Ndryshe, në kuadër të projektit Qyteti gjithëpërfshirës..., të financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë.
Takimi është zhvilluar disa javë pasi që banorët e kësaj lagjeje kishin dorëzuar peticionin në KRU Hidroregjioni Jugor dhe në Komunë të Prizrenit, me anë të cilit kishin kërkuar gjetjen e zgjidhjeje për problemin shumëvjeçar.
Zyrtarët e KRU Hidroregjioni Jugor kanë shpjeguar aspektet teknike të zbatimit të orarit të reduktimeve në furnizim me ujë, për disa banesa në lagjen Bazhdaranë dhe kanë theksuar se bashkë me komunën e Prizrenit kanë zhvilluar takime për adresimin e kësaj çështjeje, pas pranimit të peticionit. Në të njëjtën kohë para banorëve kanë dhënë hollësi edhe për masat afatshkurtra dhe afatgjata që parashihen të ndërmerren për zgjidhjen e këtij problemi.
Në anën tjetër banorët kanë kërkuar që komunikimi me zyrtarët e KRU Hidroregjioni Jugor të vazhdoj edhe në të ardhmen.
Qyteti gjithëpërfshirës... është projekt tre-vjeçar i EC Ma Ndryshe, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe ti përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit.
Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit dhe paralelisht zhvillohet edhe procesi i avokimit dhe bashkëpunimit me komunën e Prizrenit dhe Drejtorinë e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor për të siguruar përfshirjen e kërkesave të qytetarëve në planifikimin urban të qytetit.