Banorët e lagjes “Tusuz” paraqesin prioritetet infrastrukturore në takim me përfaqësuesit komunalë

Në Shkollën “Xhevat Berisha” në Prizren EC Ma Ndryshe ka realizuar takimin me banorët e lagjes “Tusuz“, ku u diskutuan nevojat dhe prioritetet infrastrukturore të komunitetit, me fokus në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe adresimin e kërkesave të kahershme të banorëve.
Në takim morën pjesë banorët e lagjes, kryetari i Bashkësisë Lokale “Xhevat Berisha” dhe “UÇK”, Ali Berisha dhe zyrtari i Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit, Alban Krasniqi.
Furnizimi me ujë të pijshëm u veçua si prioriteti kryesor i komunitetit, krahas investimeve në infrastrukturën rrugore, kanalizim dhe ndriçim publik.
Gjatë diskutimit, Ali Berisha prezantoi kërkesat kryesore të komunitetit, duke theksuar se një pjesë e tyre janë dorëzuar pranë institucioneve komunale që nga viti 2024 dhe ende presin realizim. Ai kërkoi që këto projekte të përfshihen në planifikimet dhe investimet komunale për periudhën në vijim.
Gjatë takimit, si shqetësim më i madh nga banorët u identifikua mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm në lagjen “UÇK”, por edhe çështje që lidhen me përmirësimin e rrjetit të kanalizimit, zgjerimin e ndriçimit publik dhe të tjera.
Përfaqësuesi i Drejtorisë së Infrastrukturës, Alban Krasniqi, i informoi të pranishmit për procedurat e planifikimit dhe realizimit të projekteve infrastrukturore, duke theksuar se kërkesat e komunitetit do të shqyrtohen në kuadër të planifikimeve komunale dhe në përputhje me prioritetet dhe mundësitë buxhetore.
Banorët shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin me institucionet komunale për adresimin e nevojave të lagjes.
Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 ALL”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.



