Banorët e ‘Betejës së Pashtrikut’ vazhdojnë të kenë problemin e ujit

Banorët e rrugës “Beteja e Pashtrikut” në lagjen e Transitit në Prizren, të cilët prej vitesh përballen me mungesë të ujit të pijshëm në amvisëritë e tyre, kanë kërkuar nga zyrtarët e lartë të Komunës së Prizrenit si dhe Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” gjetjen e zgjidhjes për shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit. Në një takim të lehtësuar të premten nga OJQ EC Ma Ndryshe banorët kanë shprehur qëndrimet për nevojën e shtrirjes së rrjetit të ujësjellësit në afatin sa më të shkurtër kohor në këtë lokalitet, sikurse që kanë shprehur edhe hallet tjera me të cilat përballen në përditshmëri. Ata kanë insistuar që institucionet relevante të gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që ta gëzojnë të drejtën për furnizim me ujë të pijes.

Në anën tjetër drejtori për Shërbime Publike në Komunën e Prizrenit, Hasan Hasani ka pranuar se kjo  çështje kërkon një zgjidhje, dhe ka sugjeruar që zyrtarët e “Hidroregjionit Jugor” t’i prijnë nismës që do të çonte drejt gjetjes së fondeve për realizimin e projektit të shtrirjes së ujësjellësit. Sipas tij, Komuna e Prizrenit është e hapur për ti dëgjuar hallet e qytetarëve dhe për t’i zgjidhur ato, prandaj dhe ka ftuar komunitetin e kësaj rruge që me 28 gusht 2015 të marrin pjesë në debatin publik për hartimin e buxhetit komunal 2016-2018 dhe të paraqesin propozimin konkret për projekt-buxhetin.

Menaxheri i projekteve në “Hidroregjionin Jugor”, Zenel Zenelaj ka bërë të ditur se kjo ndërmarrje është shërbyese dhe se nuk ka pozicione për investime kapitale për shtrirjen e rrjetit në këtë rrugë dhe se në këtë aspekt ka varshmëri në Komunën e Prizrenit. Sipas tij, kjo kompani ka hartuar projektin për shtrirjen e ujësjellësit në këtë lagje, paramasa e të cilit kap shumën prej mbi 240 mijë eurove.

Banorët kanë theksuar se institucionet duhet t’i bashkërendojnë veprimet e tyre në mënyrë që të realizohet projekti i ujësjellësit dhe kanë shprehur gatishmërinë që kërkesën e tyre ta paraqesin edhe në diskutimin publik për hartimin e buxhetit komunal 2016-2018.

“Qyteti gjithëpërfshirës...” është projekt tre-vjeçar i EC Ma Ndryshe, (i financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), me përkrahje nga Qeveria e Suedisë), i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit dhe paralelisht zhvillohet edhe procesi i avokimit dhe bashkëpunimit me komunën e Prizrenit për të siguruar përfshirjen e kërkesave të qytetarëve në planifikimin urban të qytetit.
 

Rrjetëzimi