Aktivitetet e njeriut, kërcënim serioz për humbjen e biodiversitetit në Kosovë
Kosova edhe pse është vend me biodiversitet të pasur, megjithatë përballet me sfida që e kërcënojnë ruajtjen e tij. Faktori njeri ka ndikim kryesor në këtë drejtim, prandaj nevojitet mobilizimi i shoqërisë që të mbrohen vlerat e ekosistemit dhe të biodiveristetit, në përputhje me Agjendën 2030 përkatësisht objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Të gjitha gjallesat kanë rolin e vet të veçantë në zinxhirin jetësor të planetit Tokë. Njerëzit ndër vite kanë shkaktuar një disbalancë në natyrë që po e shpie Tokën drejt një shkalle të lartë të zhdukjes së specieve të ndryshme. Toka që nga viti 1970 ka pësuar një rënie mesatare prej 68% të popullatave të gjitarëve, shpendëve, peshqve, zvarranikëve dhe amfibëve. Humbjet më të mëdha janë shkaktuar nga shkatërrimi i habitateve të ndikuara nga bujqësia dhe prerjet e paqëndrueshme të pyjeve. Ndërsa ndryshimi i klimës, deri më tani nuk ka qenë shtytësi më i madh i humbjes së biodiversitetit, por pritet të marrë këtë rol në dekadat e ardhshme. ( https://bit.ly/3snJbTR )
Në objektivën e 15-të të Agjendës 2030 si nën objektiv është përfshirë edhe ndërmarrja e veprimeve urgjente dhe domethënëse për të reduktuar degradimin e habitateve natyrore, për të ndaluar humbjen e biodiversitetit, duke mbrojtur dhe parandaluar zhdukjen e specieve të kërcënuara.
Kosova edhe pse një vend me një biodiversitet të pasur nuk përjashtohet nga ky rrezik . Pra, problemet si eksploatimi i burimeve natyrore, shpyllëzimi, trafikimi dhe gjuetia ilegale, bujqësia e paqëndrueshme, ndotja e burimeve jetësore, përdorimi i pesticideve, janë disa nga problemet që po kërcënojnë edhe biodiversitetin e vendit tonë.
Zonat më të pasura me florë dhe faunë në vend janë ”Malet e Sharrit” dhe “Bjeshkët e Nemuna”
Bazuar në raportin e AMMK-së ( https://bit.ly/3snJbTR ) nga hulumtimet e deritanishme në Kosovë janë inventarizuar rreth 1800 lloje të florës vaskulare, mirëpo supozohet që ky numër është më i madh dhe arrin deri në rreth 2500 lloje. Sipas Listës së Kuqe të Florës Vaskulare të Republikës së Kosovës, nga 254 lloje të listuara deri më tani në vendin tonë kemi të zhdukura vetëm 2 lloje bimore, të rrezikuara në mënyrë kritike kemi 72 lloje, vetëm të rrezikuara kemi 91, ndërsa pjesa e tjetër e mbetur e bimëve konsiderohen si më pak të rrezikuara.
Si përfaqësues të kësaj liste mund të përmendim këto lloje: Violën e Sharrit, Tulipanin Kosovar, Tulipanin e Sharrit, Zambakun, Boshtra europiane, Dioskorea e Ballkanit, etj. Dy llojet e fundit rriten në Komunën e Klinës, komunë kjo e cila muajin e kaluar dha dritën e gjelbër për fillimin e ndërtimeve të fabrikës së çimentos, edhe pse banorët me vite e kanë kundërshtuar ndërtimin e saj. Zona ku do ndërtohet fabrika përfshinë fshatrat: Gremnik, Dollc dhe Dresnik. Sipas Z. Faton Berisha si ekspert i ekologjisë dhe mjedisit dhe reagimeve të qytatarëve ndërtimi i kësaj fabrike do të sjell ndikim negativ duke shkaktuar probleme shëndetësore dhe mjedisore, pasiqë këto zona janë shumë të pasura me burime të ujit të cilat mund të kontaminohen, duke rrezikuar kështu direkt edhe florën e faunën. (https://bit.ly/3w5mplD , https://bit.ly/3l3ZlOc )
Në Kushtetutën e Kosovës ( https://bit.ly/37sqA1C ) theksohet se bota bimore dhe shtazore duhet të ketë mbrojtje ligjore të veçantë, gjë që rregullohet me Ligjin Nr. 03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës, ligj bazë ky që përcakton kornizat për mbrojtjen e kafshëve dhe bimëve në Kosovë dhe nuk lejon zhdukjen e llojeve të egra endemike. ( https://bit.ly/3MWJSvc ).
Mbrojtja e llojeve të rrezikuara është e rregulluar me bazë ligjore, por përsëri mungojnë mekanizma që kontrollojnë gjendjen aktuale, duke ditur kështu se Kosova akoma nuk ka një inventar të plotë të biodiversitetit. Edhe pse ekziston “Lista e Kuqe e Florës Vaskulare”, si dhe “Libri Kuq i Faunës”, i cili u publikua gjatë vitit 2020, përsëri nuk ka të dhëna të sakta mbi numrin e llojeve shtazore dhe bimore në Kosovë. Kjo është si pasojë e mungesës së projekteve dhe hulumtimeve që mundësojnë krijimin e një baze të saktë në numër të llojeve e specieve të rrezikuara dhe të kompletimit të procesit për inventarizimin e biodiversitetit në Kosovë.
Gjithashtu sipas raportit të AMMK-së ( https://bit.ly/3snJbTR ), thuhet se nga hulumtimet e bëra deri tani në Kosovë jetojnë mbi 250 lloje të egra të kurrizorëve, si dhe numër i madh i pakurrizorëve (ku deri tani janë të njohura 200 lloje të fluturave, mbi 500 taksone të makrozoobentosit të ujërave).
Disa nga llojet shtazore që konsiderohen të rrezikuara në Librin e Kuq të Faunës në Kosovë janë: Rrëqebulli ballkanik, kaprolli, dhia e egër, derri i egër, ariu, thëllënza e fushës, shqiponja e maleve, etj. Këto lloje rrezikohen çdo ditë nga veprimet si: ndotja e tokës, ujit dhe ajrit, prerja e pyjeve, bujqësia, gjuetia ilegale etj.
Zonat malore ku ndër vite është hasur gjuetia ilegale janë: Shutmani, Oshlaku, Koxha Ballkani, Liqeni i Jazhincës, Bistra dhe Koritinku. Raste të vrasjes së kafshëve kanë qenë mjaft të përhapura në këto zona gjatë vitit 2020, të cilat janë raportuar në rrjete sociale me anë të fotografive. ( https://bit.ly/3wgeD7v )
Raste të tilla janë përsëritur ndër vite, ku nga to vlen të përmendim rastet që nga vrasja e rrëqebullit ballkanik me armë gjahu në vitin 2019 në Komunën e Ferizajit dhe postimi i këtij akti në rrjete sociale nga vet autori ( https://bit.ly/3MZyoaf ), e deri tek rasti i fundit i vrasjes së kaprollit, në janar të këtij viti.
Nga rastet e shumta shihet se një nga indikatorët me ndikim më të madh që po rrezikon faunën është gjuetia ilegale. Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, keqtrajtimi dhe vrasja e kafshëve të mbrojtura me ligj, është vepër e dënueshme dhe konsiderohet si vepër penale, por përsëri këto vepra shumë shpesh nuk merren parasysh nga institucionet edhe pse po raportohen.
Informimi i qytetarëve mbetet një nga faktorët kryesor për një fillim të përmirësimit të situatës, duhet të hartohen strategji mbi informimin e qytetarëve në lidhje mbi ruajtjen dhe rëndësinë e botës bimore dhe shtazore. Po ashtu duhet të organizohen më shpesh trajnime me gjuetarë, në mënyrë që të informohen sa më shumë sa i përket llojeve të rrezikuara.
Përveç mungesës së mekanizmave për matjen e gjendjes aktuale të numrit dhe të dhënave të sakta mbi llojet e rrezikuara në Kosovë, vlen të theksohet se edhe Strategjia dhe Plani i Veprimit për Biodiversitetin (2011 -2020) ka skaduar dhe se gjatë përpilimit të strategjisë së re është me rëndësi që të trajtohet dhe kjo problematikë.
Në të njëjtën kohë është me shumë rëndësi që nga institucionet të zbatohet nën objektiva 15.9 (Agjenda 2030), e cila thotë se duhet të integrohen vlerat e ekosistemit dhe biodiversitetit në planifikimin qendror dhe lokal të vendit, e kjo mund të arrihet me bashkëpunim ndërinstitucional dhe me zbatim të bazës ligjore. Shkalla e lartë e rrezikshmërisë për kafshët në zhdukje mund të ngadalësohet nëse organet kompetente qeveritare punojnë ngushtë me qytetarët, sektorin privat dhe shoqërinë civile.