Zgjidhet problemi i ujit në lagjen Bazhdarhana
Problemi i furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm në lagjen Bazhdarhana është zgjidhur. Vënia në funksion e një stacioni të pompimit i ka dhënë fund reduktimeve të ujit në Bazhdarhanë, të cilat janë aplikuar prej më shumë se një dekade në këtë lagje.
Që nga fillimi i muajit dhjetor, EC Ma Ndryshe ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me banorët e lagjes dhe është njoftuar nga këta të fundit që ka tashmë kanë furnizim të rregullt me ujë për këtë lagje.
Edhe zyrtarët e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor kanë konfirmuar zgjidhjen e problemit të reduktimeve të ujit për lagjen Bazhdarhana.
Banorët e kësaj lagjeje për më shumë se dhjetë vjet janë përballur me reduktime të furnizimit me ujë të pijshëm. EC Ma Ndryshe së bashku me banorët e kësaj lagje, kanë ngritur disa herë shqetësimin për këtë cështje. Në fillim të këtij viti një kërkesë për intervenim i është adresuar Zyrës së Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe KRU Hidroregjioni Jugor".
EC Ma Ndryshe së bashku me banorët e lagjes Bazhdarana më pastaj gjatë vitit kanë realizuar disa takime me zyrtarët e KRU Hidroregjioni Jugor. Zyrtarët e kësaj ndërmarrjeje publike patën ofruar sqarime edhe para banorëve në lidhje me projektet që janë në plan për tu realizuar për zbutjen e reduktimeve të ujit. Në fund të korrikut të këtij viti, EC Ma Ndryshe pat pranuar një shkresë nga KRU Hidroregjioni Jugor ku thuhej: Jemi në përgatitje teknike të vendosjes së pompës shtytëse në lagjen Dardania dhe në momentin që do të përfundoj projekti nuk ka nevojë që të zbatohen reduktime për banorët e lagjes Bazhdarhane dhe do të ketë furnizim të rregullt me ujë të pijes.
Një takim tjetër në mes të banorëve të lagjes Bazhdarhana, përfaqësuesve të EC Ma Ndryshe dhe KRU Hidroregjioni Jugor qe mbajtur edhe me datë 19 Nëntor 2015. Në këtë takim banorët qenë njoftuar që punimet në stacionin e pompimit në lagjen Dardania, nga i cili projekt pritet të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë në lagjen Bazhdarana, janë në përfundim e sipër. Sipas banorëve që prej këtij muaji nuk janë aplikuar më reduktimet në furnizim me ujë të pijshëm.