Vijon programi i praktikës së filigranistëve të rinj
Pesë pjesëmarrës nga më të talentuarit dhe më të suksesshëm nga gjithsej 30 sa janë trajnuar gjatë dy cikleve të trajnimit mbi zejen e filigranit janë duke vijuar programin 6-mujor të praktikës në kuadër të Ndërmarjes ''Filigrani''. Praktikantët e përzgjedhur paraprakisht kanë finalizuar trajnimin 8 javor të organizuar në kuadër të projektit ''Filigrani përtej artizanatit'', gjatë së cilit janë aftësuar mbi teknikat e punimit të filigranit. Programi i praktikës do t'u mundësojë atyre që të thellojnë njohuritë e tyre mbi filigranin, duke u mundësuar që në të ardhmen të kenë mundësi punësimi apo aplikimi të zejes në bizneset e tyre private.
Programi i praktikës është duke u realizuar në kuadër të projektit ''Filigrani përtej Arizanatit'' që synon të ndërtojë besimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve. Qëllimi i këtij projekti është të kontribuojë në ruajtjen e artizanatit të filigranit nëpërmjet dokumentimit, promovimit dhe transferimit të njohurive dhe aftësive tek gratë dhe të rinjtë e përkatësive të ndryshme etnike nga rajoni i Prizrenit, përmes rritjes së mundësisë për punësimin e tyre. Projekti veçanërisht synon fuqizimin e ndërmarrjes Filigranit në Prizren, me qëllim që ta zhvillojë atë në një entitet të qëndrueshëm që ofron arsim dhe prodhim të zejes së filigranit.
Projekti ''Filigrani përtej artizanatit" është financuar nga projekti “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë Kulturore”, qe implementohet nga UNDP dhe financohet nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP).