U mbajt aktiviteti “Public Spaces Diaries” me komunitetin e Personave me Sindromën Down në Prizren

Në kuadër të projektit “Public Spaces 4 ALL”, me komunitetin e personave me sindromën Down është zhvilluar aktiviteti “Public Spaces Diaries” (“Ditarët e Hapësirave Publike”). Aktiviteti është realizuar në qendrën e DSK në Prizren, me ç’rast me metoda kreative dhe ndërvepruese janë mbledhur përvojat e drejtpërdrejta dhe perceptimet e personave me sindromën Down mbi përdorimin dhe cilësinë e hapësirave publike në qytet.


Takimi u hap me një prezantim mbi projektin dhe metodologjinë “Public Spaces Diaries”, një qasje pjesëmarrëse që fokusohet në mbledhjen e të dhënave mbi përvojat e përditshme të grupeve të ndryshme të komunitetit në hapësirat publike, përfshirë modelet e përdorimit dhe vëzhgimet praktike mbi funksionalitetin e tyre.


Aktiviteti u realizua përmes sesionit të lehtësuar me metoda kreative dhe ndërvepruese, ku pjesëmarrësve iu shpërndanë ditarë individualë për të dokumentuar përvojat dhe mendimet e tyre. Ato përfshinin tema që lidhen me frekuencën e përdorimit të hapësirave publike, vështirësitë e hasura, si dhe ndikimin e kushteve atmosferike në përvojën e tyre.


Gjetjet e këtij aktiviteti do të shërbejnë si bazë për hartimin e rekomandimeve konkrete që synojnë përmirësimin e hapësirave publike në Prizren, duke i bërë ato më gjithëpërfshirëse dhe të qasshme për të gjithë qytetarët.


Ky aktivitet është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje nga Qeveria Gjermane dhe Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), përmes GIZ Kosova.

Rrjetëzimi