TRASHËGIMIA KULTURORE NË PRIZREN VAZHDON TË PËRBALLET ME SFIDA TË SHUMTA
Asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren edhe gjatë vitit 2021 janë ballafaquar me rreziqe të natyrave të ndryshme, sa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të tyre.
Sipas të dhënave të pranuara nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, në periudhën janar-dhjetor 2021 në Prizren, janë evidentuar 7 raste të dëmtimeve në ndërtesat e trashëgimisë kulturore, dhe 11 raste të punimeve të paautorizuara apo tejkalim të kushteve të pëlqimit.
Ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS ka njoftuar se brenda vitit 2021, në 5 raste ka nxjerrë vendime për ndalim punimesh. ITK në këtë periudhë kohore ka paraqitur edhe 5 kallëzime penale dhe kundërvajtje.
Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka njoftuar se brenda vitit 5 lëndë nuk janë shqyrtuar fare dhe se 9 lëndë janë kthyer për plotësim.
Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2021 ka identifikuar shkelje në 10 objekte në zonat e trashëgimisë kulturore në Prizren, me ç’rast ka shqiptuar 12 gjoba mandatore dhe ka nxjerrë 10 aktvendime për ndalim punimesh.
Policia rajonale e Prizrenit ka theksuar se vjet janë iniciuar 3 raste që kanë lidhje me objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare.
Prokuroria Themelore në Prizren ka pohuar se gjatë vitit 2021 lidhur me dëmtimin e trashëgimisë kulturore në Prizren ka pranuar 2 kallëzime penale kundër 2 personave të dyshuar. Kjo Prokurori nga Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit ka pranuar kallëzim penal kundër një personi, ndaj të cilit është ngritur aktakuza, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”. Ndërsa nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve është pranuar një kallëzim penal kundër një personi juridik, i cili është hedhur poshtë nga Prokuroria.
Ndërkaq Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se për veprat penale nga neni 354 për periudhën janar – shtator 2021, janë të evidentuara 2 raste, ku në 1 rast kjo gjykatë ka nxjerr aktgjykimin me urdhër ndëshkimor përkatësisht dënim me gjobë, derisa rasti tjetër ka përfunduar me vërejtje gjyqësore.
EC rithekson se ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore, kërkon përkushtim dhe punë nga akterët ndërsektorialë dhe se institucionet përkatëse duhet të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të rritet efikasiteti lidhur me ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.