Trashëgimia kulturore në Prizren vazhdon të përballet me sfida të shumta!
Asetet e trashëgimisë kulturore në Prizren prej vitesh përballen me sfida të shumta, veçmas sa i përket ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të tyre. Të dhënat e institucioneve kompetente tregojnë se sfidat e kësaj natyre kanë qenë të pranishme edhe gjatë vitit 2020.
Sipas informatave të paraqitura nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren, në periudhën janar-dhjetor 2020 në Prizren, janë evidentuar 3 raste të dëmtimeve në ndërtesat e trashëgimisë kulturore, dhe 12 raste të punimeve të paautorizuara apo tejkalim të kushteve të pëlqimit, ku në 2 raste, punimet e paautorizuara janë realizuar nga organet komunale.
Ndërsa Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në MKRS ka njoftuar se në periudhën mars-dhjetor 2020, në 4 raste ka nxjerrë vendime për ndalim punimesh dhe obligim të palëve për kthim të aseteve në gjendje të mëparshme. ITK në këtë periudhë kohore ka paraqitur 1 kallëzim penal.
Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit ka përmendur 4 raste të aktiviteteve pa leje e pa shqyrtim në këtë zonë, sikurse edhe ndërrimin e vitrinave të lokaleve. KTK ka konfirmuar se sfidat që identifikohen në Qendrën Historike janë të shumta, “duke filluar me ndërtimet, aktivitetet pa leje (mbyllja e terasave para lokaleve me PVC apo qelq dhe konstruksion metali), vendosja e reklamave ndriçuese në ballore të lokaleve (më shumë se 1m2 dhe me dizajne të pa përshtatshme), mos menaxhimi i mirë i mbeturinave dhe vendndodhja e kontejnerëve e mbeturina rrugore me numër të madh të cilat nuk largohen, parkingje ilegale dhe uzurpimi i trotuareve me vetura, qasja e automjeteve pa leje brenda Sheshit të Shadërvanit, ngasja me veturë mbi monumente (Urën e vjetër të Gurit) e shumë çështje dhe aktivitete tjera të cilat mendojmë se duhet të diskutohen”.
Drejtoria e Inspektorateve në Komunën e Prizrenit ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020 ka identifikuar shkelje në 10 objekte në zonat e trashëgimisë kulturore në Prizren, me ç’rast ka shqiptuar 6 gjoba mandatore dhe 4 kallëzime penale, si dhe ka nxjerrë 3 vendime për rrënim.
Policia rajonale e Prizrenit ka theksuar se vjet janë iniciuar 8 raste, ku 6 sosh janë proceduar në Prokurori dhe 2 janë nën hetime, prej të cilave 5 raste i ka Stacioni policor Prizren-Jug dhe 2 raste Stacioni policor Prizren-Veri.
Prokuroria Themelore në Prizren ka pohuar se gjatë vitit 2020 lidhur me dëmtimin e trashëgimisë kulturore në Prizren ka pranuar 3 kallëzime penale kundër 3 personave të dyshuar. Kjo prokurori vjet për veprën penale dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës nga neni 354 i Kodit Penal, në 3 kallëzime penale kundër 3 personave ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren.
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se për veprat penale nga neni 354 për periudhën janar – dhjetor 2020, janë të evidentuara 4 raste, ku në 1 rast kjo gjykatë ka nxjerr aktgjykimin me urdhër ndëshkimor përkatësisht dënim me gjobë, derisa 3 lëndë tjera janë në punë.
Ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore në Prizren kërkon përkushtim dhe punë nga akterët ndërsektorialë dhe institucionet përkatëse duhet të ushtrojnë të gjitha përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të rritet efikasiteti në këtë drejtim.