Tejkalimet e lejeve ndërtimore po vazhdojnë në Qendrën Historike të qytetit
Tejkalimet e lejeve ndërtimore të lëshuara nga Komuna e Prizrenit po vazhdojnë në Qendrën Historike të qytetit.
Një rast i tillë së fundmi është vërejtur në Sheshin e Lidhjes, ku Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka lejuar zhvillimin e punimeve në renovimin e një lokali, duke potencuar se gjatë implementimit të projektit nuk lejohet kurrfarë zgjerimi në gabarit. Megjithatë në këtë pjesë është vërejtur vendosja e një platforme prej druri, dhe sipas zyrtarëve të DUPH-së, leja nuk është dhënë për këtë platformë prej druri.
Ndërkaq institucionet tjera deri më tani nuk kanë ofruar informata se çfarë masa kanë ndërmarrë për këtë rast.
EC përsërit thirrjen që institucionet që kanë përgjegjësi për Qendrën Historike të veprojnë për zbatimin e plotë të legjislacionit për këtë zonë të mbrojtur dhe mbrojtjen e integritetit të saj. Gjithashtu i bën thirrje të gjitha palëve që të veprojnë sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi dhe punimet të realizohen konform lejeve të marra nga organet përkatëse.