Shënohet Dita Ndërkombëtare e Dheut
Sot Klubi i ambientit i shkollës “Luciano Motroni” në kuadër të projektit EKO SHKOLLA ka shënuar simbolikisht Ditën Ndërkombëtare të Dheut. Gjatë këtij aktiviteti këta ambientalistë kanë mbjellur fara të bimëve të ndryshmë për të cilat do të kujdesen që t’i kultivojnë gjatë kësaj sezone dhe në stinën e pranverës do t’i mbjellin në kopshtin e shkollës “Luciano Motroni”. Idea e këtyre nxënësve ka qenë që kjo ditë të shënohet përmes kultivimit të këtyre farave dhe mbjelljes së tyre në vijim, duke qenë se bimët luajnë rol të rëndësishëm në shumë procese që ndikojnë në pasurimin e dherave me minerale dhe ciklimin e ujit në këto shtresa.
Dita Botërore e Dheut që nga viti 2013 me vendim të Organizatës Botërore të Ushqimit dhe Agrikulturës shënohet më 5 dhjetor dhe shërben si një ditë për të përqendruar vëmendjen në rëndësinë e tokës së shëndetshme dhe avokimin për një menaxhim dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të tokës përmes përhapjes së gjelbërimit dhe promovimit të agrikulturës.
Ky aktivitet është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA).
Gjeni fotografitë e aktivitetit këtu.