Rrënimi i monumentit të mbrojtur në Prizren të hetohet penalisht

Prizreni ka mbetur pa ndërtesat në kuadër të kompleksit Saraji i vjetër në Prizren, aset ky i mbrojtur i trashëgimisë kulturore. Ato janë rrënuar bazuar në një aktvendim të DUPH-së të lëshuar në janar të këtij viti dhe lejes ndërtimore për objekt të ri multifunksional të lëshuar po nga kjo drejtori në prill të këtij viti.


Për këtë çështje, EC Ma Ndryshe me datë 29 maj 2024 ka kërkuar informata zyrtare nga Komuna e Prizrenit, IKMM-ja, QRTK-ja dhe ITK-ja.
Komuna e Prizrenit përkatësisht DUPH-ja në përgjigjen e saj ka pohuar se “Komuna e Prizrenit ka zhvilluar procedurën ligjore për pajisje me leje të rrënimit dhe ndërtimit të aplikuesit i cili ka kërkuar që në parcelat e tij të cilat gjenden jashtë zonës së qendrës historike të zhvillojë objektin me shumë funksione”.


“Drejtoria jonë me datën 30.11.2023 e ka dorëzuar Kërkesën në autoritetet e trashëgimisë kulturore QRTK-Prizren ndërsa lënda me datën 07.12.2023 është bartur në IKMM si organ kompetent pasi që parcelat janë jashtë zonës së qendrës historike të Prizrenit prandaj është dërguar lënda nga QRTK në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) për dhënie të pëlqimit për ndërtimin e objektit – me shumë funksione me nr. sipas Fletëdorëzimit 04-353/01/137392”, thuhet në përgjigje, duke shtuar se kjo kërkesë është dorëzuar pas pranimit të kërkesës së investitorit për pajisje me leje ndërtimore.


“Në përputhje me procedurën përkatëse administrative, Komuna e Prizrenit ka pritur përgjigjen e institucionit përgjegjës për tu pajisur me pëlqim brenda afatit ligjor të përcaktuar me dispozita imperative. Meqë pas kalimit të këtij afati nuk kemi pranuar përgjigjen nga institucioni kompetent, brenda afateve të përcaktuara ligjore, ne si autoritet i vetëqeverisjes lokale, në përputhje me autorizimet dhe detyrimet tona ligjore përballë palës që ka parashtruar kërkesën kemi vazhduar me nxjerrjen e aktit administrativ të lejes së rrënimit dhe ndërtimit, duke pasur parasysh plotësimin e kushteve siç përcaktohen në 32 paragrafet 4 dhe 5 të Ligjit Nr. 05/L-31 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”, thuhet në përgjigjen e DUPH-së.


QRTK-Prizren në përgjigjen e saj ka bërë të ditur se QRTK Prizren ka pranuar kërkesën me nr. protokolli 347 të datës 04.12.2023, për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e objektit – me shumë funksione nga DUPH-Prizren, dhe se në përputhje me rregulloren 06/2017 për caktimin e institucioneve publike të trashëgimisë kulturore, vartëse të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në cilësinë e institucioneve kompetente dhe Procedurën Standarde të Operimit, kërkesën së bashku me raportin përkatës e ka adresuar në IKMM me datë 07.12.2023.


Gjithashtu ka shtuar se “Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prizrenit, me datën 24.05.2024 përmes shkresës “Njoftim për vazhdim të procedurës për dhënien e lejes ndërtimore” ka njoftuar Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve se DUPH ka nxjerr Vendimin për Leje Ndërtimore me nr.04-351/02-45206 të datës 04.04.2024, për investitorin me arsyetimin se kjo leje është lëshuar pasi janë tejkaluar afatet ligjore nga ana e Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve”.


“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren po me datë 24.05.2024 shkresën e njëjtë e ka adresuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. “Kompleksi i Sarajit të Vjetër” gëzon mbrojtje të përhershme sipas vendimit nr.35/2024 të datës 11.03.2024 të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. QRTK Prizren përmes shkresës “Njoftim për dëmtimin/rrënimin e Kompleksit të Sarajit të Vjetër” të datës 27.05.2024 dhe nr. 175, ka njoftuar Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore të MKRS-së.


Sipas këtij njoftimi bëhet e ditur se në rrugën “Saraji”, përkatësisht në asetin e trashëgimisë kulturore “Kompleksi i Sarajit të Vjetër” i cili gëzon mbrojtje të përhershme sipas vendimit nr.35/2024 të datës 11.03.2024 të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishin filluar të rrënohen disa nga ndërtesat brenda kompleksit”, thuhet në përgjigjen e QRTK-së.


Ndërsa ITK-ja nuk ka kthyer përgjigje.


Ndërkohë zyrtarët e IKMM-së në përgjigjen e tyre kanë theksuar se “lënda në fjalë nuk ka pëlqim nga KPSH/IKMM për realizimin e punimeve sipas projektit të paraqitur në IKMM”. Gjithashtu kanë shtuar se “aseti ‘Farmakos’ është aset me status të mbrojtjes së përhershme nga muaji shkurt i vitit 2024”. Bazuar në përgjigjen e IKMM-së, EC Ma Ndryshe me datë 31 maj 2024 ka publikuar një reagim në rrjetin social “Facebook”.


Pas këtij reagimi, në të njëjtën datë ka pranuar një kërkesë për demantimin e deklarimit publik në rrjetin social “Facebook” nga investitori, i cili pos tjerash ka theksuar se është pajisur me “leje të ndërtimit dhe leje të rrënimit në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin Nr 04-L-110 për Ndërtim dhe Ligjit 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Duke pasur parasysh që parcelat tona gjenden jashtë zonës së mbrojtur të Qendrës Historike QRTK e ka bartur lëndën në IKMM duke pasur kërkesë për pëlqim në lidhje me këtë leje ndërtimore dhe institucioni kompetent nuk është përgjigjur sipas afateve të përcaktuara ligjore madje as pas kësaj, andaj edhe në bazë të ligjit të aplikueshëm heshtja konsiderohet aprovim i kërkesës”.


Pas këtyre zhvillimeve, drejtues të MKRS-së rrënimin e ndërtesave të kompleksit të Sarajit të Vjetër në Prizren e kanë cilësuar si “krim”, duke kontestuar edhe vendimmarrjen e Komunës.


“Është krim shumë i madh. Është rrënim i një aseti nën mbrojtje të përhershme të ligjit. Është veprim i ndërmarrë me vetëdije të plotë të institucionit të Komunës, sepse ajo çfarë kanë lëshuar ata është leje për rrënim, për një monument nën mbrojtje të përhershme”, ka thënë ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku në një deklaratë të publikuar në KTV dhe në Koha.net.


Lidhur me këtë rast, EC Ma Ndryshe sjellë në vëmendje edhe dispozitat e Ligjit Nr. 02/L-88 për Trashëgiminë Kulturore që përkufizojnë Konservimin dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, në kuadër të nenit 4, përkatësisht paragrafët 4.14 deri në 4.20.


“4.14. Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga Institucioni kompetent.
4.15. Institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.


4.16. Veprimet konservuese dhe restauruese në lidhje me trashëgiminë kulturore bëhen nga Institucioni kompetent dhe personat juridikë dhe fizikë, të licencuar nga Ministria, në pajtim me një akt nënligjor të bazuar në këtë ligj. Puna e bërë me licencë mbikëqyret nga Institucioni kompetent.


4.17. Projektet konservuese dhe restauruese të trashëgimisë kulturore zbatohen vetëm pas aprovimit të shkruar për to nga Institucioni kompetent.


4.18. Ndërhyrjet konservuese dhe restauruese bëhen në pajtim me aktin nënligjor në pajtueshmëri me nenin 4.17 të këtij ligji.


4.19. Procesi i ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese bëhet nën mbikëqyrjen e Institucionit kompetent.


4.20. Institucioni kompetent ndalon punën konservuese dhe restauruese nëse identifikon parregullsi gjatë zbatimit të tyre dhe derisa kushtet e nevojshme të plotësohen për përmbyllje të punëve të tilla”.


Duke i marrë për bazë të gjitha këto, EC Ma Ndryshe kërkon nga organet përgjegjëse shtetërore që ta hetojnë në tërësi këtë rast dhe bazuar në fakte të merren masa ligjore në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Kosovës ndaj të gjithë përgjegjësve për shkatërrimin e asetit nën mbrojtje të përhershme.


Vërejtje: Pas përgjigjeve të pranuara nga institucionet ky reagim është plotësim i reagimit të datës 31 maj 2024 (linku: https://www.facebook.com/ecmandryshe/posts/pfbid0GZzTodnQp4J7VCWz39EpC396i9NdfPjXeGWeVKLjda4nE89CEnUyHHEE2nnHSm8ql)

Rrjetëzimi